At Vitor Demaj: Arben Puto, historinë e Fishtës nuk e shkruajnë kuqaloshët

Filed under: Kryesore,Opinion |

At Vitor Demaj

Sa randesi ka dija, kanë pas thanë motit, tue vu theksin në të hapun të mendes për kah dija e njoftunia. Më datën 9 nantor u botue në “Gazetën Shqiptare” nji shkrim plot vner kundra At Gjergj Fishtës prej Z. Arben Puto. Nji shkrim mjaft i ultë dhe aspak në naltësinë e fakteve dhe të aryetimit, të nji mendje të kthjeshtë dhe shëndosht e të paanëshme. Z. Puto, gabon te rreshtimi i ngjarjeve, dhe i referimit të autorit të naltpërmendun Italian. Dihet tashma, flas për ata që kanë gjykimin e shëndosh e nisen prej dëshirës për me nxjerr të vertetën, se historiani Roberto Della Rocca kje nji anti-françeskan, dhe se libri i shkruem prej tij “Nazione e religion in Albania- Feja dhe kombësia në Shqipni” asht i njianshëm, kundra klerit e françeskanëve. Prandej kush arsyeton me arsye dhe, jo i kushtuzuem prej “kuqaloshave” siç i thërret Koliqi në kohën e tij komunistat e Tiranës, din me dallue e me shkrue historinë ashtu siç asht. Fishta simbas Della Rocca asht nji figurë negative, por siç shifet edhe simbas Z. Puto po na del anti- kombëtar, e ku asht ma e keqja e bajnë edhe spiun në dam të bashkëvëllazenve të tij Françeskanë. Z. Puto gabon në pasqyrimin e fakteve, sepse merr për bazë, për me miratue qellimet të tija të mbrapsha, nji burim historik, e ai e din fort mirë se historia nuk shkruhet prej nji libri apo prej dëshirave të se dij se kuj, por historia shkruhet tue marr të gjitha burimet historike, arkivat, revistat e kryesisht jetën dhe aktivitetin politik dhe shoqnor të autorit në fjalë. Historia nuk shkruhet sikurse e shkruen z. Puto. Shihet se logjika e Z. Puto asht e kushtëzueme prej kuqaloshave, e që si shpreblim për Fishtën i shkatrruen edhe eshtnat e tij.
Nese Z. Puto nuk e din se cili kje kontributi i françeskanve, dhe i Fishtës për bashkimin dhe pamvarësinë e kombit shqiptar, asht punë për të, por ai nuk duhet t’i mëshojë instiktit por arsyes. Z. Puto si historian duhet me kenë i paanshëm në kërkim të së vertetes, me thanë të vertetën. Me thanë të vërtetën kjo asht puna dhe detyra e historianit të vërtetë. Rrugë tjetër nuk ka. Z. Puto duhet me marr në dorë e me shfletue të përkohshmen “Hylli i Dritës” e veprat e At Fishtës dhe të At Anton Harapit e të Françeskanve e ka me pa se programi i Fishtës dhe i krejt klerit katolik ishte Fe e Atdhe. Ket program Fishta e mbajti si idealin ma të shtrejt të tij, që kur i ri në Bosnje për kryemjen e studimeve. Ket program ai e bajti me nder dhe e deshmoi me fjalë, me vepra, me krejt jeten e tij. Por, nese Z. Puto nuk e di ket gja, i duhet të studioj, dhe të mos krijoj tymnaja të kota, dhe të çoj pluhun mbi Fishtën dhe mbi klerin katolik si antikombëtar. Nuk e rrëzon Fishtën Z. Puto me fantazi e trillime me nji shkrim të çuditshëm, pa asnji kriter logjik dhe pa asnji bazë historike.
Për me zgjue kujtesën e Z. Puto po rreshtoj datat ma të randësishme të jetës së Fishtë dhe mbsandej të gjykoj lexuesi se kush ishte dhe asht At Gjergj Fishta dhe se kush asht Z. Puto.
Që në vjetin 1899 Fishta bahet bashkëthemelues i shoqnisë letrare “Bashkimi”, më në krye abatin Z. Prengë Doçi. Shoqnia letrare “Bashkimi” i kishe vu vetes si qellim me rigjall kulturën shqiptare, me anë të botimeve gjuhësore, krijimeve letrare, shkrimin dhe vumjen e gjuhës shqipe në shkolla. Kjo shoqni që në themelimin e saj e deri në vjetin 1908 u ba pararoj e kulturës shqiptare, që me botimin e abetares (1900) e deri në kompilimin dhe botimin e fjalorit të Bashkimit (1908). Në vjetin 1908 ose ndryshe vjeti i alfabetit shqip, Fisha tue pas nderimin e të tanë komisionereve xuni vendin e parë e i prini Komisionit per përcaktimin e alfabetit shqip me shkroja latine. Fishta që ne vjetin 1902 vuni gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në shkollën fretnore në Shkodër. Këto atdhetarë, më në krye At Gjergj Fishtën e filluen rrugëtimin e tyne, tue marr pjesë në ngjarjet ma jetësore të kombit tonë. Nderkohë At Gjergji vazhdon tue botue poezi, satira e shkrime në prozë, fillon edhe Lahutën (1905) që i fali emnin Poeti Kombëtar. E bash në Lahutë Fishta nalton krejt shqiptarët mysliman e katolik, tue përjetsue si nji veçanti të popullit tonë, bashkëjetesën fetare. Lexoje Z. Puto veprën letrare të Fishtës e gjeje nëse mundesh antislamizimin e tij. Në agim të pamvarësisë së Shqipnisë, Fishta boton Hyllin e Dritës. Kjo revistë i vuni cak vetes me naltue shpirtinisht kombin shqiptar, si dhe me shkrue historinë e tij. Hylli shndriti në trollin shqiptar mbas nji errësine 450-vjeçare. At Fishta në ket revistë krahas shkrimeve të tjera, asht marr me formimin e karakterit të shqiptarëve, ka luftue zakonet e tradita aziatike pse ishin antishqiptare, pengojshin zhvillimin e vendit atë ekonomik e kultural. Ishin po ato tradita që u muerën si mjet zhvillimi prej kuqaloshave, e lanë Shqipninë si vendin ma të vorfën në botë, përkrah shteteve të vorfna afrikane. Janë po këto tradita, që nuk po e lanë Shqipninë as sot me përparue përkrah vendeve të qytenueme të Europës.
Që në vjetin 1914 kur Haxhi Qamili me shokë lypte kthimin e “Babes” u çue në luftë kundra princ Wied-it, ku përfaqsuesat e pushteteve evropiane në Shkodër po rrinin më duer kryq, Fishta çon zanin përpara këtyne padrejtsive që po e drejtonin vendin në nji mbrapambetje të pakthyeshme, shkruen shkrimin polemik në Hyllin e Dritës “Nji komedi e pandershme e XX qindvjetë”. Me ket shkrim At Fishta mbrojti të drejtat e Shqipnisë, por po ky shkrim i kushtoj si denim largimi tij për 20 muej në Maltë. At Fishta e hetoj ket gja, e u nisë për në Troshan ku qendroi në kuvendin Françeskan të Troshanit pothuejse dy vjet rresht, pa pas mundësi me u kthye në Shkodër pse i denuem. E pse gjithë kta? Pse e deshti Shqipninë.
Po ashtu edhe në vjetin 1919 At Fishta me atdhetarë të tjerë shqiptar shkuen në Paris për me mbrojtë kufijtë e Shqipnisë. Këtu në Paris, tue e pa se çashtja shqiptare nuk ishte në hulli të mirë Fishta me mons. Bumçin mueren rrugët e Europes mbarë, zyrë më zyrë për me paraqitë çashtjen Shqiptare, tue fillue prej Papës e deri te neoskolastiku me famë, kardinali belg Mercier. Fjala e mbajtun me ket rast asht deshmi e atdhetarizmit fishtian. Ndoshta Z. Puto nuk e ka lexue ket fjalim.
Mbasi caktohen kufijt e Shqipnisë Fishta kthehet në Atdhe e fillon krijimarinë e veprimtarinë e tij, në shërbim të politikës dhe të zhivillimit kulturor të popullit shqiptar. Rishtas del Hylli i Dritës e deri në vjetin 1924 nëpër faqët e saj, Fishta shkruen për forminin dhe administrimin e shtetit të ri shqiptar, lirinë e mendimit e të mësimit, që jo rastësisht i bjen me themelue në vjetin 1921 të parin Gjymnaz klasik në Shqipni. Nderkohë i njohim veprat e tij të botuem në ket periudhë, si “Gomari i Babatasit”, etj. Ahmet Zogu merr pushtetin, Noli largohet përfundimisht, Fishtes i duhet prap me marr rrugën e mërgimit për në Itali e Luigj Gurakuqin e vranë. E pse e gjithë kjo? Pse këta burra e deshtën Shqipninë. Vjen vjeti 1930 e “Hylli i Dritës” rifillon rrugëtimin e mbetun përgjysë deri në vjetin 1945 ku tashma jo të huejt por kuqaloshat e ndërpresin Hyllin. Qe në numrin e parë të vjetit 1930, Fishta shkruen artikullin tij “Kultura”, për me thanë se krejt aktiviteti i tij qe nji ringjallje kulturore e shpirtnore të kombit shqiptar, e u tregoi rrugën shqiptarve për me u kap mbas dijes së vërtetë e qytetnimit europian.
Në vjetin 1930, 1931 e 1932 merr pjesë ne konferencën interballkanike tue u ba zani kryesorë për propozime e ide për rimkambjen e nji kulturë ballkanike, si dhe në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve që kishin mbetë jasht kufijve të Shqipnisë. Po në vjetin 1932 merr pjesë si kandidat për çmim Nobel përkrah 60 vendeve të tjera të botës.
Në vjetin 1937 boton të plotë “Lahutën e Malcís, nji kryevepër letrare e njiherësh kombëtare.
Vijmë të vjeti 1939 ku Shqipnia pushtohet prej Italisë Fashiste. Historikisht dhe në bazë të dokumenteve, flas për dokumenta e dëshmi reale të atyne që jetuen atë kohë, e jo pë dokumentat e Della Rocca-s, a po të Z. Puto, se kryesia e Kishës Katolike e në veçanti Françeskanët Shqiptarë, kjen kundra pushtimit të Italisë e kundër humbjes së pamvarësisë. Ket gja e difton vepra e tyne kulturore, shoqnore e politike. Ket gja e vërtetoi edhe botimi i “Hyllit të dritës” gjatë atyne katër vjetëve. Normalisht dihet se regjimi i Zogut nuk përkoi me idealin e njasaj Shqipnie që deshti Fishta, Shantoja, Marlaskaj, Anton Harapi, Bernardin Palaj e françeskanët e tjerë shqiptar. Me ramjen e tij, u mendue nji zgjim kulturor e kombëtar. At Zef Pllumi shkruen për ket nyje të pazgjidhun të politikës shqiptare, si dhe të qëndrimit të françeskanëve përballë pushtuesit italian.
Emnimi i Fishtës si akademik nuk ishte nji tradhëti ndaj Shqipnisë, sepse Fishta kurr në jetën e tij, nuk veproi kundër Shqipnisë apo interesave të saj. Akademia e Italisë në atë kohë ishte e përbame me shkenctarë e njerëz të përmendun të kulturës italiane. Reforma në arsim, që pat ba Akdemia italiane në atë kohë, mbeti e paprekun prej shtetit italian deri në kohët tona. Ky nji fakt, por ka sa të duesh, për me diftue se çfarë randesije dhe cilët kjen njerëzit që e përbanin atë. At Zef Pllumi na dishmon se At Anton Harapi me provinçialin At Çiprian Nika, ishin të mbajtun peng në Itali, e shumë të tjerë nan nji vëzhgim të rreptë, pse kundërshtuan pushtimin italian. Kjo mosmarrveshje mes Françeskanve e përfaqsuesve të Italiasë Melone, Konti Ciano e Iacomoni në Tiranë, kishte krijue shumë probleme. Tue pa ket gja, dhe se ishte ne rrezik jeta e fretenve shqiptar, por edhe per me rujt nji autonomi të veten Shqipnia, Fishta shkoi në Romë e u takue me Papën, e mbas u takue me Musolinin, për me i mbrojtë bashkëvëllaznit e tij prej nji persekutimi të afert.
At Daniel Gjeçaj biografi ma i saktë sot për sot i Fishtës, shkruen mbi ket çashtje, e bjen tekstualisht fjalët e Fishtës: Këqyr bir’o, ndoshta ndokush tash apo ma vonë, kur unë s’kam për të mujtë ma me u mbrojtë, ka për të më fajisë për këtë “kokardë” që baj, gjoja – si thonë Toskët – se unë u jam shitë italianve apo, çka do të ishte edhe ma zi se unë jam ba; dije se Akademitë, edhe pse cilësohen me emen të atij kombi e të asaj qeverie, prej së cilës mbahen, janë gjithnjë e përherë katedra të përbotshme për dije e art. Suedia – shtonte – u ep çmimin Nobel të gjithë dijetarëve e letrarëve në shenj të botës dhe kurrkush s’thotë se i shpalluni Nobel asht ba suedez. Unë me këtë shenj, që s’asht fashist e që për mue ban gërme fillestare të “Albania”, sot për sot mund të viej për Shqipni e për Provinçë ma fort s eme çdo mjet tjetër. Në luftë s’të pvetë kush se ç’fabrike janë armët, por se si i ke përdorë ato. “Për burrë çdo pushkë asht e mirë, mjaftë që t’i ndezë baruti” – thotë goja e popullit. (At Daniel Gjeçaj, Fishta Jeta dhe vepra, bot. II, Botme Françeskane, Shkodër, 2010, fq. 159).
Edhe At Zef Pllumi për emnimin e Fishtës akademik shkruen:
Si të gjitha diktaturat edhe ata kërkojshin duertrokitjet e popullit dhe përuljen e njerëzve të përmendun e me influencë. Shpërndajshin pare, shpërndajshin dekorata, shpërndajshin rybe. Në atê vit un ishem ndër klasat e nalta të liceut. U përhap fjala se edhe Fishtën e kishin emnue me dekret si “Akademik të Italisë”. Mbas disa ditësh kje caktue që të gjithë pjestarët e Kuvendit Françeskan, të kolegjës, si edhe trupi mësimor i liceut “ILLYRICUM”, të shkojshin bashkarisht te Arra e Madhe për t’i bâ urimet Fishtës. Na priti me karamele dhe kumel. Mbasi i paraqitem bashkarisht urimet, nji prej profesorave, P. Mëhill Miraj, u çue e i tha:
- Pater Gjergj, na këtu jemi të gjithë nxanësat tuej. Un këtu po shprehi mendimin e të gjithë kolegëve të mi dhe vllazënve tuej: aq sa na ra mirë emnimi yt si Akademik, aq na ka ra edhe keq. Na të gjithë prej teje kemi mësue se si duhet ta duem Shqipninë e se si duhet të jemi atdhetar. E gjithë Shqipnia, ashtu edhe fashistat italianë e dinë mirë se ti ishe kundra tyne. Bashkarisht kemi vendosë me të bâ këtë propozim: “njashtu si ti ktheve mbrapsht dekretin e dekoratës që të kje dërgue prej autoriteteve italiane, tue u thanë se “nuk âsht dekoratë për mue”, po ashtu ktheje mbrapsht edhe titullin e Akademikut. Kaq dimë e kaq ta themi si vllazën, si nxanës e si bij tuej e mos na e merr kurrgjâ për të keq se ti je ndera e jonë”.
Fishta gjatë këtyne fjalëve kishte ra në mendim.
- Ndigjoni, – tha, – o vllazën e bij të mi. Un nuk kam ndërrue, por jam ai Pater Gjergj që kam kenë gjithmonë. Ju e dini mirë se sa e kam dashtë un Italinë këtu. Kaq e gjâ e kan kuptue edhe fashistat vetë. Mos mendoni se këtë titull ma kanë dhanë për me më nderue, por ma kanë dhanë për me më internue. Latinët kanë nji aksiomë të vjetër të politikës së tyne: “Promoveatur ut removeatur” (t’i jepet nji nderim mâ i naltë veç për me e largue). Njashtu si po internojnë shumë shqiptarë tjerë, njashtu po duen me bâ edhe me mue, përsé në bazë të Statutit çdo akademik i rí e ka për detyrë me u sjellë për gjashtë muej tue mbajtë konferenca nëpër institutet e nalta të kulturës. Në këtë mënyrë ata duen punën e vet me e bâ e njikohësisht me i hjedhë pluhën syve botës, popullit shqiptár ashtu edhe mue. Un sot jam i plakun; sëmundja e zemrës më âsht randue shumë në këta muejt e fundit. Ato mësimet e mia që ju kam dhanë dikur kishem me dashtë që ju sot t’i shtini në veprim, ndërsá un nuk jam i zoti me përballue mâ as burgun, internimin apo arratinë. Por un po u premtoj ju se kurrë nuk do ta përuli para të huejve rodin e shqiptarit. Me të vërtetë sot na kanë okupue, si dikur Roma Ilirinë. Por un ndër konferencat e mia do t’ua përsëris italianëve pa ja dá, se me të vërtetë që Roma dikur e ka pasë namin e madh, por legjionet ilire dhe perandorët e mëdhaj ilirjanë ishin ata që kishin në dorë fatet e Romës. U bâj edhe nji premtim tjetër se përnji që ato konferenca do të kryejnë për gjashtë muej, siç i don rregullorja, un menjiherë do të kërkoj me ardhë në Shqipní.
Përmbi këtë moment të jetës së Fishtës âsht shkrue e folë shum, jo vetëm prej anmiqve të tij, të cilët këtu gjetën rastin e volitshëm për me spekulue e hjedhë shumë baltë përmbi figuren e tij atdhetare, por edhe prej disa tjerëve që e njoftën si atdhetar e Poet Kombëtar. Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili shprehë urtinë e naltë të trashigueme të popullit tonë, për çdo pleqní (gjykim) që bâhej thuhej ky parim: “po të bâj baras me veti” ose “vu vetin në kambë time”. Këtë shprehje po e përsëris për të gjithë ata që duen me kërkue të vërtetën dhe jo për bojaxhijtë që i ndërrojnë ngjyrat si po i don. (At Zef Pllumi, Françekanët e mëdhaj, Bitmet Françeskane, Tiranë, 2001, fq. 14-17). Në artikull përflitet edhe për fugurën e At Anton Harapit si bashkëpuntor me gjermanët. E din populli e din historia se kush ishte At Anton Harapi. Vetem due me i thanë Z. Puto se At Antoni i pat të gjitha mundësitë me u largue prej Shqipnisë, kur hyni komunizmi barbar në token arbnore. Ai nuk u largue, sepse politika e veprimi shoqnor e letrar i At Anton Harapit kje për të mirën e popullit shqiptar. Ket gja ai e dëshmoi me jetën e veprën e vet. Atë e pushkatuen, e sot nuk dim as se ku e ka vorrin. Kur erdhën kuqaloshat në pushtet, ma s’parit eleminuen kundërshtarët tyne, u fillue me klerin e me të tjerë me rrallë. Gjatë komunizmit në Shqipni kemi ket shvillim të jetës shoqnore:
-Bashkëpuntorët e komunizmit, dhe komunistat;
-Vrasjet masive që u banë në klerin katolik si dhe në gjithë shqiptarët e ndershem;
-Burgosjen dhe internimin e shumë të tjerëve;
-Të “prekunit”, kështu i thirrshin ata që ishin kundra regjimit, pse miq apo të afërm të persekutuemve.
-Kundërshtarët në heshtje kundër regjimit,
Tashti nji pyetje për Z. Puto: në cilin shtrese të jetës shqiptare jeni gjetë gjatë regjimi komunist?
Ka ikë koha e diktateve, të urdhnave, apo të zaptimit të katedrave në emën të njaj pseudo-shkence të marrun me gjakë e me dhunë, me eliminimin fizik, burgosje, fyemje e shkatrrime. Historia e Shqipnisë duhet rishkrue, e jo vetëm ajo por edhe ajo e Klerit katolik e Françeskanëve. E përsëris duhet rishkrue, e ka me u shkrue prej historianve të vërtetë, të kthjellt në mende, e jo prej mendeve dogmantike e kuqaloshe.
Shënim
* Titulli i shkrimit vënë nga autori ishte “Quanti est sapere – Sa randesi ka dija!” autori është përgjegjës i Bibliotekës Françeskane në Shkodër
Gazeta Shqiptare

Shortlink:

Posted by on 14/11/2011. Filed under Kryesore, Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

6 Responses to At Vitor Demaj: Arben Puto, historinë e Fishtës nuk e shkruajnë kuqaloshët

  1. Nje reagim shume i mjere. Qofte kulturalisht, qofte moralisht.Reagimin eshte dashur ta bente nje perfaqsues me dinjitoz i kishes katolike.
    Nga fotografia, autori ngjan si femije, por ky fakt nuk e justifikon nivelin feminor te reagimit.
    Se pari, reagimi nuk eshte shkencor. Autori bie ne nivelin e Erjon Braces, Edi Palokes apo qofte edhe te Sali Berishes. Ai, pervec se futet direkt ne politike ( megjithese ka te beje me historian) perpiqet te fyeje autorin (me demek) duke e quajtur kuqalash. Per kete perdor nje term te huazuar nga njeri prej kolaboracionisteve te asaj kohe. Reagimi duhej te ishte shkencor dhe jo inatqar.
    Nga te gjitha cfare jane thene, une, personalisht, nuk besoj vetem thenien e italianit se Fishta spiunonte koleget.
    Fishta ka qene dhe mbetet i madh, por deshira per ta paraqitur si hyjnor i ben me teper dem. Demaj duhej t’iu pergjigjej pyetjeve nese e pranoi dhe pse Fishta anetaresine ne Akademine e Shkencave;nese e takoi Ducen pasi kishte sulmuar Shqiperine dhe pse; nese i ka quajtur Ducen dhe Hitlerin “gjeni” apo jo; nese i ka pas bere mdonjehere thirrje ndonje autorioteti italian per ta pushtuar Shqiperine apo jo etj. Demaj thote se Della Crocce nuk duhet besuar sepse ishte kunder franceskaneve. Po ata qe jane kunder komunizmit, a duhen besuar kur flasin? Demaj ve ne dukje, me te drejte, meritat e Fishtes. Kjo eshte plotesisht e vertete, por ketu diskutohet per gabime (apo faje) konkrete dhe diskutimi duhet bere rreth tyre, nese jane te verteta dhe deri ku mund te justifikohen.
    Nuk eshte hera e paree qe e lexoj kete autor dhe kam vene re se del ne mbrojtje te bashkepunetoreve te pushtuesve ( nuk e kam fjalen per Fishten). Ky eshte nje turp per te dhe hierarkia kishtare nuk duhet ta lejoje nje gje te tille. Perndryshe, do te na bindin se Hoxha ka patur te drejte ne qendrimet e tij ekstreemiste ndaj klerit. Pastaj, autori, ne fund kerkon te mbroje A. Harapin si dhe rreshton (sipas tij) mbrapshtite e komunizmit. Kjo teme nuk hynte fare ketu, por shpreh mllefin e autorit (me ose pa te drejte). Nga ana tjeter, Demaj duhet te dije se kur del publikisht ne shtyp, ate e lexojne edhe njerez qe dine shume me teper se Demaj, edhe per komunizmin, edhe per aktivitetin e klerikeve.
    Niko

    Niko Maloku
    15/11/2011 at 23:09
    Reply

  2. Niko Maloku, ju akuzoni pader Viktorin se ne kete artikull ka shprehur mllefe dhe ne te njejten kohe beni te njejten gje. Te gjitha figurat nderkombetare dhe kombetare, nese tentojme t’i demolojme diçka ndoshta arrime te gjejme, sepse te gjithe njerzit jane te diskutueshem. At Gjergj Fishta eshte nje nder figurat me te rendesishme te historise se shqiptareve dhe askush nuk do te jete ne gjendje t’a diskutoje. Epiteti qe pader Viktori ka zgjedhur per t’i quajtur ata qe kritikojne Fishten, pra Kuqaloshe, eshte nje epitet i persosur, sepse te njejtat argumenta perdoren edhe komunistet per 50 vjet.
    Akuzat se At Gjergj Fishta ka patur simpati per Fashizmin dhe ndoshta na qenka takuar edhe me Duçen, jane akuza qesharake. Jane qesharake jo per faktin se ai nuk eshte takuar, ndoshta edhe ka ndodhur, por per faktin se kjo gje ne vetvete nuk provon asgje. Nuk eshte simpatia apo antipatia per fashizmin, barometri i matjes se patriotizmit te At Gjergj Fishtes, dhe as prova se ai nuk “luftoi” per kete vend, apo nuk ishte nje leterar i madh.
    Sot ne per bote, ka me qindra prifterinje, hoxhallare, politikan, shkrimtar, dhe njerz te thjeshte simpatizojne per fashizmin. Shkrimtari me i madh norvegjez, çmim Nobel dhe nje nder me te medhenjet ne bote, ne te kaluaren ka pasur simpati per fashizmin, por askush ne vendin e tij nuk merr guximin tia veje ne dukje kete gje, sepse madheshtia e tij eshte shume me superiore se sipatite ideologjike. Ndersa disa shqiptare, mundohen te ulin madheshtine e Fishtes duke insiniuar se ai na qenka takuar me Mussolinin.
    At Gjergj Fishta dhe asnje i krishtere nuk ka kerkuar ndonjehere qe te ndryshohet historia ne lidhje me luften e 2 boterore, qe Italine fashiste mos ta konsiderojme Pushtues, ne te kunderten me Klerin Musliman qe mbeshteti hapur kerkesen e Turqise. Edhe se disa fakte provojne se per Shqiperine dhe shqiptaret nuk qe fare i demshem. Fashizmi ne Shqiperi, gjate 4 viteve qe qendroi, ndertoi me shume vendin se Turqia ne 500 vjet dhe komunizmi ne 50.
    Ata qe mundohen te demolojne Fishten, jane te njetit qe na tregojne perrala me partizan, se si ata luftuan fashizmin. Dhe po me keto perrala mundohen luftojne figurat me te rendesishme. Ne te vertete, ka shume shqiptare qe luftuan kunder Shqiperise me shume se vete fashizmi qe pothuajse nuk e shkrepi fare ne Shqiperi.
    E verteta eshte se Fishta luftohet sepse ishte Prift Katolik dhe dikujt nuk i pelqen kjo gje. Por nese ata do te tentojne te demolojne te gjitha Prifterinjet Katolik, athere do tu duhet te kançelojne te gjithe kulturen shqiptare, te gjithe rilindjen shqiptare, te gjithe letersine shqiptare, te gjithe patriotizmin shqiptar, te gjithe Historine tone. .

    Valentin Bruçaj
    16/11/2011 at 20:17
    Reply

  3. Ti Niko mundohesh të thuash dicka që nuk është logjikedhe e vërtetë. Mohimi i Gjergj Fishtës duke u perpjekur të gjendn “njolla” në biografinë e tij, si veproj ai kuqaloshi, është mohim i vet shtyllave të kombit. Nobelisti norvegjez Knut Hamsun, një ndër gjenitë e letërsisë botërore, ka qenë simpatizant i fazhizmit, por kombi i kulturuar norvegjez nuk ia numron “njollen” e tille. Ke edhe ma zi, Niko Maloku… Merre shembullin e Ivo Andriqit, nobelistit serb. Fakti se ai ka bërë elaborata për zhdukjen e shqiptareve e boshnjakeve nga Ballkani, nuk i është parë si pengesë për njohjen e vlerësimin e artit të tij, fjalës së bukur të shkruar si dhe nderimit që i bënë e gjithë bota e artit… Ne do t’a mbajme ne mend se cka ka dashur e ka bërë ndaj nesh, poir vepra e tij letrare mbetët në konditat e pranimit gjithëbotëror…

    Lulzim Fusha
    16/11/2011 at 23:19
    Reply

  4. KY SHOKU A.PUTO ESHTE NJE NGA FAMILJET ME TE NDYRA TE GJIROKASTRES.

    Ky pinjoll komunist dhe gjith familja e tij kane qene te perzgjedhurit e sigurimit te shtetit dhe partise se punes .
    Ky A.Puto ne 1990 e gradoi R.Alia duke hequr nga Tirana e coi ne Helsinki gjoja per te drejtat e shqipetareve atje thjeshte (coi ujkun coban) dhe ky qe nga Helsinki nuk rreshtete se baltosuri Shqiperine e dale nga Diktatura duke bere punen e Ramis Alise .
    Pasi vegjetoi atje 10 vjet ku ka leshuare dhe vezet e gjarperit .
    Erdhi ketu per te ndihmuare sa sa te jete gjalle e me fryme ate nevojtore qe i pregatiti keta kelysh te kuq .
    I vellai i Tij Elmas Puto nje intrigante komunist me shume vejse te ndyra ka qene deri ne 1991 sa dha frymen e fundit P.P.SH ne rrethin e Skraparit si Sekretar i pare i PPSH-se ku ka lene dhe gjurmet me te keqija si njeri dhe kur ka ikur ka ikur naten nga Skrapari dhe eshte Arratisur ne Greqi ku jepte informacione per gjithcka kunder Shqiperise. Nen petkun gjoja ish Vorio epiriot se kish gruan Minoritare ,kaq i ndyre njeri ishte sa ncori nje liber ne Greqi ku shqipetaret e pas 1990 i quante HALE.Fill pas kesaj nje grup djemesh e kane rrahur tek platia Farfi sa ndenje gati 6 muaj pa dale ne shesh .
    E bera tere kete ekspoze qe te dine Shqipetaret qe i thone vetes Shqipetare ,se kjo familje e Putove ka nxierr gjithmone gjarprinj kunder vendit tone .
    Ky putua kete radhe e ka hallall ndeshkimin dhe te gjith ne qe e quajm veten me gjak Shqipetari duhet ti tregojm vendin kesaj kavje Komunisto Sllavo Grek sakt TRADHETARE.
    Eshte e TURPESHME DHE I PA FALSHME SE CFAR AI SHKRUAN PER KOLLOSIN E GJUHES TONE AT GJERGJ FISHTES.
    Dhe te gjith kete e nxori ne nje moment sa ka dale liberi i Fevziut si kunderpergjigje per E.Hoxhen .

    Riza Mance
    17/11/2011 at 13:07
    Reply

  5. Pingback: At Vitor Demaj: Arben Puto, historinë e Fishtës nuk e shkruajnë kuqaloshët « Kosova tek AlbEmigrant

  6. Shikojeni te verteten e madhe video e papar http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww

    Berti nga gjirokastra
    12/09/2012 at 12:36
    Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*


3 + 9 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>