Arben Llalla: Fan Stilian Noli, udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve

Filed under: Opinion |

“Le të mos pandehin që s’kemi kapedanë për të drejtuar timonin e anijes sonë, në mes burrave energjitikë kurdoherë dalin udhëheqës të mirë”- (NOLI). Fan Stilian Noli, njëri nga figurat më të rëndësishme dhe më të shkëlqyeshme të letërsisë, kulturës, fesë, historisë dhe politikes të popullit shqiptar. Po e rikujtojmë Nolin në një kohë për ne shqiptarët, më të rëndë dhe tragjike se sa ishte koha në të cilën ka jetuar dhe vepruar ai, ndërmjet rreziqesh, ambiciesh, veprimesh politike dhe antipolitike.

I lindur më 6 janar 1882, në Ibrik-Tepi (Turqi), një fshat banuar nga shqiptarët. Noli u rrit shëndetlig e disa herë u gjet në buzë të varrit, bile një herë, e kishin marrë për të vdekur dhe po e qanin për ti dhënë lamtumirën e fundit. Në këto çaste, Noli i vogël hapi sytë e po çuditej me atë ç’ka ndodhte. Mësimet e para i mori në shkollën greke të vendlindjes dhe më vonë punoi dhe jetoi në Athinë. Në të vërtetë ai quhej Theofan Stilian Mavromati (Syziu), por ai vendosi për mbiemër, emrin e gjyshit të tij, Noli. Kështu u quajt gjithmonë Fan Stilian Noli. Në vitin 1903, Noli shkon në Egjypt ku ditën punonte si mësues në një shkollë greke dhe mbrëmjeve punonte si suflar dhe aktor në teatër. Në Egjypt u njoh me disa atdhetarë shqiptar që ishin tregtar nga Shqipëria. Ata e bindën që të shkonte në Amerikë duke i paguar dhe harxhimet e udhëtimit. Nga viti 1906-1913, jetoi dhe punoi në Amerikë ku u mor me një sërë veprimtarish kombëtare shqiptare. Karrierën gazetareske e fillon në gazetën “Kombi” (1906-1907) dhe më 1907, Noli bashkoi mbarë shqiptarët e Amerikës në shoqërinë e parë politike “Besa-Besë” ku do të hapte dhe gazetën me emrin “Dielli” që u shërbente shqiptarëve në Amerikë si burim lajmesh, por edhe si një shkollë e vogël për mësimin e gjuhës shqipe. Në vitin 1908, kur Noli ishte vetëm 26 vjeç, bëhet prift për hir të Shqipërisë, ku meshën e parë e mban më 22 mars, në kishën e “Shën Gjergjit” në Boston. Me këmbëngulje, Noli në pak vite shqipëroi 6 libra fetarë me gjithsej 1357 faqe, punë kjo madhështore, duke zgjidhur problemin përgjithmonë të këndimit të meshës fetare në kishë në gjuhën shqipe.
Noli bashkë me Faik Konicën, më 18 prill 1912, përgatitën Federatën gjithë shqiptare në Amerikë “Vatra” që do të kishte dhe gazetën e saj “Dielli”. Federata “Vatra” dha një ndihmesë të pallogaritshme për mërgimtarët shqiptar në Amerikë, duke lajmëruar për gjendjen e turbullt në Shqipëri atë kohë. Në vitin 1912, Noli diplomohet në Universitetin e Harvardit, dhe në nëntor të po atij viti, Noli bashkë me Faik Konicën, shkojnë në Londër, si përfaqësues të “Vatrës” për të mbrojtur interesat e çështjes shqiptare në konferencën e ambasadorëve.
Të gjithë po presim të mundim të vemi
T’i falemi Flamurit
dhe ta puthim dheun e Dashur
të Atdheut tonë. (NOLI)
Pas shpalljes së pavarësisë, Noli do të punonte dhe luftonte për organizimin e politikës së brendshme dhe të jashtme të vendit, për të vënë në jetë parimet e demokracisë së përparuar. Më 1913 është delegat në Kongresin e Triestës. Pranimi i Shqipërisë në “Lidhjen e Kombeve” më 17 dhjetor 1920, ai do ta cilësonte si suksesin më të madh të karrierës së vet politike. Në dhjetor të 1921, Noli mërrin në Korçë dhe mban meshën e parë në gjuhën shqipe më 11 dhjetor të 1921. Ditën e “Shën Spiridonit”. Më 12 dhjetor, Fan Noli, mban një meshë të madhe në gjuhën shqipe në kishën e “Shën Gjergjit” dhe bën edhe kurorëzimet e para të martesave në Korçë. Çifti i parë i kurorëzuar nga urat Noli, ishte i z. Dhimitraq Çërava me znj. Efigjeni Thana. Më 21 dhjetor, Noli niset urgjentisht në Tiranë, ku Këshilli i Lartë e ngarkoi ministër i Jashtëm i qeverisë së Xhaferr Ypit.
Noli e shikonte si të domosdoshme krijimin e kishës, Ortodokse Autoqefale Shqiptare, brenda vendit, e cila do të bëhej barrierë e ndërhyrjes politike së huaj. Kështu, më 10-19 shtator të 1922, në Berat u mblodh Kongresi, i cili themeloi Kishën Autoqefale Shqiptare. Kongresi i Beratit ishte më shumë një shprehje e vullnetit politik dhe u mbështet fort nga Qeveria e Tiranës. Si qendër e Autoqefalisë u caktua qyteti i Korçës, që më pas Noli u lidh ngushtë me këtë qytet, ku më vonë Korça e shpalli Fan S. Nolin, qytetar Nderi, si dhe e caktoi kandidatin e saj për deputet në Asamblenë Kushtetuese. Në vitin 1923, Fan Noli u dorëzua peshkop në Korçë dhe u emërua Mitropolit i Durrësit, Gorës e Shpatit. Primat dhe Eksark i gjithë Ilirisë, i Detit perëndimor dhe i gjithë Shqipërisë. Vetë Noli në këto çaste emërimi, do të thoshte: “Titull i madh, por pagesë e vogël, por titulli e plotëson ngushticën financiare”. Kështu, Noli do të bëhej një figurë udhëheqëse për vendosjen e rendit demokratik. Ku në qershor të 1924 do të zgjidhet kryeministër i Shqipërisë dhe për 6 muaj do të përballonte problemet ekonomike dhe politike. Por programi i tij do të rezultonte i parakohshëm për bujqët dhe feudalët që nuk njihnin demokracinë e Kuvendin Popullor. Noli i rritur jashtë Shqipërisë, nuk e njihte dhe nuk mund ta njihte realitetin e vendit të tij. Në shtator të 1924, Kryeministri Fan Noli dhe me Luigj Gurakuqin do të përfaqësonin Shqipërinë në Asamblenë e pestë të “Lidhjes të Kombeve”. Ku fjalimi i mbajtur nga kryeministër Noli, pati jehonë të madhe jo vetëm në vendet anëtare të Lidhjes, por edhe në vendet e tjera.
E mjera Shqipni, po dergjet e po vdes
dhe neve të mallkuarit nuk e shkojmë ta shërojmë
po mundohemi ta pagëzojmë se mos na vdes pa emër,
pastajza si do ta njoh Shën Pjetri që mban hapset e parajsës. (NOLI)
Mbas rënies të Qeverisë Demokratike, Noli do të qëndronte në Europë dhe më 1925, ai zgjidhet kryetar i organizatës “Komiteti Nacional Revolucionar” (KONARE). Në vitin 1930, do të përfaqësonte Shqipërinë në Kongresin e parë antifashist në Berlin të Gjermanisë. Në vitin 1932, Noli do të rikthehet në Boston të Amerikës, i zhgënjyer nga politika, i dobët nga shëndeti, dhe shumë i varfër, ku do ti shërbente Ahmet Zogut dhe më vonë Enver Hoxhës, për hir të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Mbas disa vitesh Noli do të thoshte për dështimin e qeverisë së tij demokratike; “Ne kishim me vete shumicën, kur vumë në programin tonë reformën agrare. Ne ishim pakica, kur erdhi puna për ta zbatuar atë”. Federata mbarë shqiptare “Vatra” e zgjedh Fan Nolin kryetar Nderi, i cili ishte figura më e fuqishme e kësaj organizate të madhe të shqiptarëve të Amerikës. Në vitin 1937-1938, Fan Noli mbaron konservatorin e muzikës të Nju-Inglentit, dhe më 1945, Noli merr gradën “Doktor” në Historinë e Lindjes së Afërme dhe të Rusisë, në Universitetin e Bostonit. Më 13 mars të vitit 1965, në moshën 83 vjeçare vdes nga një sëmundje e rëndë, në qytetin e Launderdejl të shtetit të Floridës, Dr Mitropoliti Fan Stilian Noli.
Se pas dimrit vjen një verë
Që do të kthehemi një herë,
Pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.(NOLI)
Vlerësimi për figurën e Nolit
Rebel i lindur dhe armik i shtypjes e i padrejtësive, Noli u frymëzua me mësimet dhe parimet e Revolucionit Francez dhe të presidentit amerikan Linkoln, për ti vënë në jetë në Shqipëri. Noli ka patur bindjen se kishte lindur e i duhej të luftonte, për një Shqipëri të lirë, me kufijtë të sigurt, të zhvilluar nga ana ekonomike e kulturore. Ai ishte i dashuruar me Shqipërinë, gjuhën shqipe dhe Skënderbeun. Noli nuk pushoi së menduari kurrë për atdheun e tij, dhe gjithmonë priste rastin që të shikonte edhe një herë Shqipërinë para se të vdiste. Sa herë që gjente rastin, Noli fliste me dashuri dhe simpati për kombin dhe Shqipërinë e tij. Noli e ngriti si pak kush tjetër në atë kohë figurën legjendare të shqiptarit, gjallërinë e tij nëpër shekuj. Ai e përshkoi shqiptarin si një luftëtar të paepur dhe të patrembur përmes furtunash dhe stuhish. Fan S. Noli, ky atdhetar me ndërgjegje të lartë qytetare politike dhe demokrat i shquar, reformator i kishës, gojëtar, udhëheqës politik, kompozitor i cili luftoi për Shqipërinë larg saj. Jetoi vetëm 4 vjet në mëmëdhe, zotëronte rreth 12 gjuhë të huaja, duke bërë të flasin në shqip Shekspiri, Gëte, Hygoi, Ibseni, Servantresi etj. Këto vepra Noli i përktheu në një kohë kur në gjuhën shqipe përkthehej pak, kur kushtet shoqërore dhe politike nuk ishin të përshtatshme. Ai bëri Don Kishotin të ëndërrojë shqip, bëri Otellon të zemërohet shqip, bëri Hamletin të pikëllohet shqip. Dr. Mitropoliti Fan Stilian Noli do të mbetet në Historinë e Shqipërisë, si njeriu që arriti i pari me hir të vullnetit dhe hollësisë së tij, të lexojë zyrtarisht gjuhën shqipe në meshë në kishë. Dita që mëshoi për herë të parë, është një ogur i bardhë në udhën e përparimit të kombit shqiptar, dhe as e harrojmë as mund të lemë të tjerët ta harrojnë. Ai ishte shqiptari që foli shqipen më të pastër dhe të fuqishme, Noli u bë udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve, qe një arkitekt i madh i përpunimit të fjalës shqipe dhe i mendimit demokratik shqiptar. Fan S. Noli, si askush tjetër ngriti zërin për afrimin e Shqipërisë me botën, ngriti zërin për padrejtësitë historike që janë bërë kombit shqiptar. Ai ngriti zërin dhe luftoi për liritë demokratike dhe mendimin e lirë. Ishte për një demokraci të tipit perëndimor, me pluralizëm politik dhe zgjedhje të lira.
Për këtë u jepte përparësi, marrëdhënieve me SHBA, dhe mënyrës amerikane të jetesës. Veprimtaria diplomatike përben një faqe më të ndritura në jetën e Nolit. Ai është përfaqësuesi i madh i oratorisë shqiptare, sidomos me fjalimet politike, por edhe në publicistikë përdori një gjuhë me një shije të lartë artistike. Shpesh ai na ka dhënë pamje mjaft prekëse të realizuara nëpërmjet një stili nga ana emocionale. Me shkrimet dhe oratorinë e tij ai krijoi një ndërtesë të lartë e të bukur që është studiuar dhe po studiot edhe sot. Jeta dhe vepra e Fan Nolit përbëjnë një thesar me vlera të mëdha kombëtare të kulturës dhe historisë sonë shqiptare. Librat e tij ribotohen dhe mbeten më populloret, emrin e tij e mban sheshi, shkolla dhe rruga në Tiranë e gjetkë. Por eshtrat e tij janë ende në mërgim, përtej oqeanit.
Ndoshta një ditë do të bëhen njësh me tokën shqiptare ashtu siç e dëshiroi dhe ëndërroi atdhetari i madh shqiptar Fan Stilian Noli. Pra le ta kujtojmë sot këtë figurë të gjithanshme shqiptare, për kontributin e tij që dha, në ecjen përpara të historisë dhe kulturës sonë shqiptare.

 

 

Shortlink:

Posted by on 02/06/2012. Filed under Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Arben Llalla: Fan Stilian Noli, udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve

  1. Ne kohet me te veshtira qe ka kaluar Kombi Yne ne Periudhen e Parapanevaresise e deri ne mbarim te Luftes se Dyte Boterore;-Fan.s.Noli ngelet vertete Nje Figure e Ndritur e Kombit!Kemgulja e madhe per Nje Identitet Kombetar ne ushtrimin e Fese ne Gjuhen SHqipe eshte aktuale edhe sot!Berja e SHtetit me Ligje e Drejtesi,qofte e Utopike sipasoje e Periudhes Anadollake,koloniale Postotomane eshte nje Vlere e Madhe e gjeneratave te Reja ne perparimin Kulturor,Ekonomik e Politik.Domosdoshmeria e Vlerave qe kerkon Koha sot,gjenden ne ate cka NOLI punuar me perpara.

    Artan.M.B
    02/06/2012 at 18:27
    Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*


5 + 7 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Jepi Like 123albania.com