Ediso Ypi: Spitali i Doktorit

Filed under: Opinion |

 

EDISON YPI

Nuk është fushë bujqësore, fabrikë, apo biznes tregëtar, që për ta drejtuar do duhej agronomi, inxhinieri, ekonomisti.

Është Spital. Që e drejton ai që shërimin e ka profesion, Doktori.

Spitali ynë është i rrethuar me spitale të tjera ku lëngojnë me miliona të sëmurë. Por prej të gjithë këtyre spitaleve, vetëm Spitali ynë ka Fatin të qeveriset nga një Doktor.

Megjithatë, përtej këtij Fati kaq të madh, nga brenda, spitali ynë ka probleme.

Problemi i parë i Spitalit të Doktorit tonë, është se nuk kuptohet për ç’arësye, për Doktorin e Spitalit flitet pafund, ndërsa për Spitalin e Doktorit aspak.

Tjetri problem është se në Spitalin e Doktorit të  Doktorit të Spitalit, një numur të sëmurësh, nuk ankohen, si do ishte e udhës, për shëndetin e vetes, por për shëndetin e Doktorit.

Por pavarësisht nga këto dhe të tjera probleme e vështirësi, punën në Spitalin e Doktorit, Doktori i Spitalit e ka organizuar më së miri.

Spitalin e Doktorit, Doktori i Spitalit e ka ndarë me pavione. Në pavionet e Spitalit të Doktorit që është edhe spitali ynë, nuk ka shtretër ku të sëmurët të rrinë shtrirë. Në Spitalin e Doktorit, të sëmurët rrinë më këmbë. Rrethanë kjo që, për cilësitë specifike, si të Spitalit të Doktorit, të Doktorit të Spitalit, dhe tonat, as Doktorit të Spitalit dhe askujt tjetër nuk i prish asnjë punë.

I pari, dhe më i madhi i pavioneve të Spitalit të Doktorit prej të cilit Doktori i Spitalit heq picirin, është një vend i madh e i errët plot me klithma që quhet “Qorrtore”. Çudia e madhe e Qorrtores së Spitalit të Doktorit, është se Qorrat e Qorrtores nuk ankohen kurrë nga sytë, por gjithmonë për të tjera gjëra. Për shembull për veshët që nuk u dëgjojnë mirë, për mëlçinë që nuk u funksionon si duhet, për qurrat që u rrjedhin pa shkak, etj.

I dyti pavion i rëndësishëm i Spitalit të Doktoit është një tjetër vend plot dritë, por i heshtur si varr, që quhet “Shurdhore”. Edhe shurdhat e shurdhores së Spitalit të Doktorit, si të gjithë të sëmurët e Spitalit të Doktorit, nuk i ankohen Doktorit të Spitalit për dertin që në të vërtetë kanë, por për të tjera; Se kanë probleme me veshkën e cila nuk ua pastron si duhet gjakun, për gjunjët që kanë nisur të mos i mbajnë, për thonjtë e pisët që s’dinë t’i pastrojnë, që u zgjaten shpejt dhe s’dinë t’i shkurtojnë, etj.

Pavioni “Haj e flej”, është pavioni që në Spitalin e Doktorit ka edhe numurin më të madh të sëmurëve. Në këtë pavion, Doktorit të Spitalit i duhet të ndeshet dhëmb’-për dhëmbë me grykësat dhe gjumashët me të cilët bën një punë të papërtuar për t’i bindu; Se mund të jetë si thonë ata, pra që jeta mund të kalohet rehat edhe vetëm duke ngrënë e duke fjetur, por problemi është se jeta e kaluar në këtë mënyrë nuk është jetë por diçka tjetër emrin e së cilës, për hir të etikës së mardhënies Doktor-pacinet, Doktori i Spitalit, këtyre lloj të sëmurëve, nuk ua thotë kurrë. Ndoshta kjo është arësyeja që rehtlinjtë me nam të pavionit “Haj e Flej”, i qahen Doktorit të Spitalit, jo për taksiratet e rehatit, që janë shtimi në peshë etj, por për shpeshtimin e të rrahurave të zemrës, për shtimin e sheqerit në gjak, rënien e flokëve, djersitjen e sqetullave, etj.

Pavioni “Presim të vdesim” është gjithashtu një ndër pavionet e rëndësishëm të Spitalit të Doktorit me të cilin Doktori i Spitalit merret me seriozitetin e duhur. Në këtë pavion ka me bollëk të sëmurë që nuk lexojnë kurrë libra, nuk shohin kurrë filma, nuk venë kurrë nëpër ekspozita, nuk marrin as nuk ndjekin kurrë inicitiva. E vetmja gjë që dinë të bëjnë të sëmurët e këtij pavioni është të rrinë mbyllur në shtëpi me gruan dhe kalamajtë duke bërë hesape entuziaste për përfitime të kollajta, kryesisht dallavere se si të pasurohen pa luajtur nga vendi sipas skemave që në vatrat e tyre i sjell era e kafeneve po ashtu si krisma e rrufesë mbi mal nuk arrin në fushë në çast por pas pak. Me këta që presin të vdesin Doktori i Spitalit, ngaqë nuk di fare ç’të bëjë, u ka dhënë dënimin e merituar, i ka lënë në harresë. Mirpo pikërisht këtë harresë, ata që presin të vdesin duke mos harruar s’ja falin Doktorit. Dhe s’i lënë kusur. Naryrisht para televizorit. Se as ata atë, e as ai ata, nuk ka ku i gjen tjetër.

Pavioni “Nuk duam të vdesim”, plot me të sëmurë që kanë frikë nga vdekja, është pavioni që më së shumti e habit Doktorin e Spitalit. Këtyre, jo drejtpërdrejt, se nuk do që t’i lëndojë, por me ndonjë mënyrë të tërthortë, Doktori u thotë; Ore budallenj, a jeni në vete ? Pavdekësinë nuk e pretendoj unë që lodhem duke j’u mbajtur gjallë për t’ju plotësuar dëshirën për të mos vdekur, e pretendokeni ju që s’keni asnjë meritë, asnjë talent, aftësi, energji, produkt. Por ata s’pyesin për të tilla konstatime, dhe vazhdojnë avazin, shajnë Doktorin.

“Kapsllëku” është pavioni, si i të sëmurëve me tru të ndryshkur, me peristaltikë të bllokuar, me prostatë të zmadhuar, etj. Që edhe këta nuk ankohen pse mendja u ka ngecur, pse në banjë venë, ose 1 herë në pesë ditë, ose 50 herë në ditë, por sepse ka nisur tu mbahet goja, kanë probleme me lidhjen e lidhëseve të këpucëve, ka filluar tu mpihet njëri krah, etj. Këtyre, Doktori i Spitalit, sa herë i sheh, u thotë, ikni pirdhuni.

Pavioni “Fukarai” ka,  sa të ngopur që qahen se janë të uritur se s’kanë të hanë, edhe të veshur e të mbathur që bërtasin e ulurasin se s’kanë ç’të veshin; zengjinër që ankohen se janë fukarenj, dhe fukarenj që hiqen për  të mënçur. Ngaqë këtyre s’u bën dot asnjë derman asnjë Doktor, kur i vete mendja për ta, në pamundësi për të bërë ndonjë tjetër gjë, Doktori i Spitalit merr nga rafti një libër, e nis e lexon Pushkinin.

Në Spitalin e Doktorit, pavioni “Tezgat” është  më rrënqethësi. Shkrimtari sjell në atë pavion plehrat letrare, që thonë se janë kryevepra padrejtësisht të nënvlerësuara. Poeti llurbat vargëzuese, për të cilat pretendon se janë perla. I përndjekuri nga lufta brenda llojit, sjell mbi tezgë vuajtjet e burgut, etj.

Të sëmurët e pavionit “Keqkuptimi” janë më fatkeqët. Për ta s’ka asnjë shërim. Sepse ata nuk e dinë, as kanë për ta ditur, se demokracia është një tërësi konvencionesh, marrveshjesh dhe rregullash për jetë normale komunitare, ligjesh, nenesh, ndësa diktatura është një koleksion sendesh, mjetesh, veglash, si telat me gjëmba, hekura, pranga, litarë, zinxhirë.

Si Doktorit të Spitalit dhe autorit të këtij shkrimi, nga pavioni “Nostalgjia” i përzihen zorrët. Prandaj përmbajtjen e këtij pavioni lexuesi le ta marri vet’ me ment.

Doktori i Spitalit mban pranë ndihmës mjekë, infermierë, farmacista, heqima. Por ata Doktorin nuk e ndihmojnë dot. Sepse Doktori i Spitalit është i vetmi që ka kuptuar dy gjëra;

E para; për të sëmurët e këtij Spitali, ilaçi më i mirë është tua lumturosh mamin, ndonjëherë edhe babin.

E dyta; ky spital nuk është spital por çmendinë.

 

 

 

Shortlink:

Posted by on 01/06/2012. Filed under Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Ediso Ypi: Spitali i Doktorit

  1. z.Ypi, gaboheni te mbeshtesni Sale Berishen, e gaboheni me teper me shprehjet fyse qi perdorni ndaj njerzve tjer. Berisha tashme esht nji penges per shqiptaret brenda dhe rreth Shqipris. Meritat qi mund t’i ket pat gjenden n’vitet 90a, por jo me.

    i
    02/06/2012 at 15:30
    Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*


8 + 9 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Jepi Like 123albania.com