Shkelja padashur e një copë lëkure sharqini apo bostani dhe rrëshqitja, deri edhe rrëzimi me pasojat përkatëse, madje edhe gjakosja, fatkeqësi jo fort e vogël kjo, e cila, s’kam për ta kuptuar kurrë pse shqiptarët që ndodhen aty rrotull i bën për të qeshur; shakatë me sharqi jeshil nga jashtë dhe të kuq nga brenda që i dedikohen ambientalizmit majtist; si dhe ca vagonë treni me sharqi dhe bostan që kurvi i shiste badihava në Gjermani dhe Belgjikë, nuk janë Melondrama. Ato janë preludi i Melodramës. Janë ata tingujt e çrregullt që vijnë nga orkestra ndërkohë që mjeshtrit kolaudojnë instrumentet para se të nisë muzika, të fillojë pjesa.
Për herë të parë në një version serioz, Melondramën shqiptare, pra marrëdhënien e çuditshme të shqiptarëve mebostanin, por kryesisht sharqinin, e kam parë aty nga mesi i viteve ’80 në Pogradec. Një djalosh i ardhur nga Tirana, për t’u arratisur përmes Liqerit, pasi zbrazi një sharqi të madh, futi kokën brenda sharqinit bosh, e zuri gojën dhe hundën me një kundragaz ushtrie, zgjatur me një tub të hollë për të marrë frymë, u fut në Liqer dhe u nis të arratisej në Jugosllavi. Por futja e kokës në një sharqi bosh ishte një truk i njohur për syshkabat që ruanin Liqerin nga ikjet. Prandaj mëkatarit pa mëkat ia bënë kokën me gjithë sharqinin shoshë me plumba Kallashnikovi, pa bërë as 1 kilometër “mbi zall të pyllit vjeshtarak, (ku) dremit Liqeri pa kufi”.
Një tjetër version i Melondramës, trailerin e së cilës mund ta shohësh falas në çdo minimarket, po luhet këto ditë në tërë Shqipërinë, ku edhe mund të gjesh ndonjë sharqi në shitje. Por është: ose me çmim tepër të lartë, ose i bardhë nga brenda, ose i kalbur, ose as i kalbur as i bardhë, i kuq dhe i fortë, por me zemrën si prej gome që me zor e kafshon, e përtyp pak, dhe e pështyn menjëherë.
Shkurt, në treg nuk po ka sharqi. Dhe e bukura është se po t’i pyesësh shitësit për këtë melondramaticitet të paparë, nuk të thonë arsyet, por mërmërisin nëpër dhëmbë: Kosovari, Serbi, Maqedoni, Malazezi, Kroati, Boshnjaku, Bullgari, Hungarezi, Austriaku, Gjermani, Polaku, deri Danezi, madje ndonjëherë edhe Suedezi, por më së shpeshti Serbi, të cilët sharqinin nuk “e blejnë” por “e marrin” ose “e ngrenë”.
Ku janë ideatorët, regjisorët, skenaristët, skenografistët, punëtorët e skenës së kësaj Melondrame?
E ku tjetër veçse në kraterin e vullkanit të sharqinjve, në Divjakë, ku u nisa po aq ethshëm sa kërkuesit e arit në Alaskë.
Tek iki më zien koka.
Dihen e njihen përpjekjet shekullore të Serbit për të dalë në det. Ndërkohë që Ismail Qemali ngrinte Flamurin në Vlorë, disa mijëra serbë, pasi kaluan Mirditën pa u hyrë gjemb në këmbë, disa thonë se serbët i blenë me pare kapedanët eMirditës, pushtuan dhe e mbajtën të pushtuar disa muaj Durrësin. Ka që thonë edhe se në mbarim të Luftës së Parë Botërore, Fuqitë e Mëdha, përmes një vendimi që as është ekzekutuar as është anuluar kurrë, i dhanë Serbit të drejtën e daljes në det përmes një korridori a një porti që ndoshta ishte Shëngjini. Në ato kohë serbi e sulmoi detin duke dashur të shesë derra. A mos vallë serbi po bën sot të njëjtën gjë duke blerë sharqina? Dhe për këtë ka zgjedhur Divjakën. Këtë vend të bekuar plot dritë e diell e ujë e fresqe, aq të lakmuar, të cilën Xhevdet Mustafa e sulmoi nga Perëndimi, serbi po e sulmon Lindja?
Tek sjell ndërmend këto detaje melondramatike bëj shumë kujdes të shoh, si kam parë në tërë këto vite, grumbuj sharqinjsh anës rrugës.
Jo. Sivjet është ndryshe. Gjatë gjithë autostradës për Durrës: Vorë, Maminas, Sukth, madje edhe gjatë gjithë plazhit të Shkozetit, s’të sheh syri, jo grumbuj, por asnjë kokërr sharqini anës rrugës. Shkëmbi i Kavajës, Golem, Kavajë, po ai mjerim melondramatik.
Në Gosë, ku është edhe ditë pazari, melondrama bëhet rrëqethëse; Katër a pesë sharqinj këtu, pesë a gjashtë atje, të vegjël të shtrembër, për të qarë.
Pak më tutje, disa baraka të famshme të improvizuara, të cilat prej vitesh shesin fruta, janë braktisur pothuaj të gjitha. Kanë mbetur vetëm ca gra e ca fëmijë që shesin misra të pjekur.
Ore, i them një vendaliu me kasketë dhe mustaqe, ç’bëhet kështu? Unë e di tashmë që sharqinin vjen e merr serbi, por s’po kuptoj barakat pse i keni braktisur?!
-Serbi dhe Maqedoni nuk marrin vetëm sharqinin, o flori, më përgjigjet rrogozhinsi, Serbi vjen e merr këtu gjithçka.Specat, domatet, kastravecat, sallatën jeshile, patatet, qepët, të gjitha. Madje, në do ta dish, deri para ca kohësh ne këtu ishim mbretërit e karotës. Mirëpo, se si ia gjetën anën, ndoshta marifetin ua tregoi Serbi, sekretin e karotës e mësuan ata të Divjakës, dhe, siç e sheh zotrote, këtu as karota nuk ka më. Prandaj i kemi braktisur barakat.
-Jo, i dashur, unë ende nuk kuptoj ç’ka ndodhur këtu.
-Që të kuptosh, ma kthen duke qeshur, bli e ha ndonjë misër të pjekur.
Përtej urës së Shkumbinit, ku rruga kthen për Divjakë, edhe aty, asnjë kokërr sharqini për bé.
Por ndoshta gjendja nuk është aq e rëndë, sepse pak më tutje, në drejtim të Divjakës, një rimorkio plot me sharqinj. U flas disave që po pinë kafe.
-Ja një rimorkio plot! Në burg kulakët dhe armiqtë që thonë se s’ka sharqinj!
-Javash o javash, unë, thotë njëri prej kafepirësve, jam armiku dhe kulaku, pra pronari i asaj rimorkioje dhe i atyre sharqinjve. Atë rimorkio e kam nxjerrë aty që në mëngjes herët. Nuk shes me kile. E shes të tërën. Po pres një Serb i cili më ka telefonuar se do vijë ta marrë.
-Serb?!
Melondrama sa vjen e rëndohet, muzika e sfondit, nga Beethoven, kthehet në Vagner.
-E ke të sigurt se Serbi do vijë ta marrë?
-Po. Se s’është hera e parë. Më tutje do shohësh edhe rimorkio dhe karroca të tjera anës rrugës. Janë të shitura, por më tepër shërbejnë si ekspozita të mallit për blerës të huaj prodhimesh bujqësore që udhëtojnë drejt Divjakës, në atë tregun ku po vete ti, ku bëhet hataja. Andej, duke treguar me dorë nga deti, thonë se kushton 1 Euro kilja. Edhe i vonojnëpagesat, një muaj, dy, tre, edhe një vit ka bërë vaki.
Pak kilometra para qendrës së Divjakës Melondrama bëhet drithëruese. Olimpi, Panteoni, Parajsa e prodhimeve bujqësore tregu gjigant i famshëm në të gjithë Europën është aty. Trailera, kamionë, rimorkiatorë, karroca, thasë, pirgje, të pafundmë me sharqinj, pjepra, qepë, patate etj. etj. Pronarë të ngrysur që presin blerës ose pagesa të vonuara. Blerës dinakë që bëjnë pazar me pronarë. Shoferë apo drejtues mjetesh që presin të vijë prodhimi nga arat, duke pirë birrë. Pronarë traktorësh dhe makinerish të tjera, që kërkojnë me ankth klientë për plugime, prashitje etj. Tregtarë farërash, plehrash kimike. Ndërmjetës, me siguri edhe matrapazë, pa dyshim edhe hajdutë, nga më të ndryshmit. Këtu qenka “Kazani i Dreqit”, do thoshte ndonjë kosovar. Por po të hysh e të pyesësh, kupton menjëherë se ke të bësh me një agregat shitblerjeje absolutisht perfekt, që punon pa u ndalur 24 orë në 24 orë, me përpikëri më të madhe se “Sahati i Hoxhës”. Është fare e qartë se funksionimi i përsosur i kërkesë-ofertës këtu i ka kaluar, jo vetëm broçkullat nëpër gazeta të ekspertëve të Tiranës, por edhe vetë teoritë mbi ekonominë të Karl Marksit dhe Adam Smithit.
Por konstatimi i çuditshëm është se s’bëhet fjalë për blerës shqiptarë. Që s’do mend se edhe të tillë vinë këtu. Por janë aq të pakët në numër, dhe zënë një peshë aq të vogël në këtë treg të pafund, sa askush nuk do të dëgjojë për ta. Për Serbin po. Serbi është protagonisti i Melondramës së Divjakës.
Ja tre trailera si tre trena që po presin prodhimin të vijë nga fusha. Njëri në timon, dy të tjerë që i bëjnë shoqëri në tokë. Serb i pari, serb i dyti, serb edhe i treti. Ore, mos është shqiptar ndonjë prej jush, u them, se edhe kjo më ka bërë vaki. E kuptojnë çfarë domethënë “shqiptar” dhe bëjnë shenjë mohimi me gisht dhe kokë. English? i pyes Jo-jo, bëjnë përsëri me shenjë të tre. Befas, serbi i mbështetur mbi timon, më pyet;
-Italiano?
-Si, serbo mio, i them me të qeshur.
Shoferi serb që flet italishte të mirë me theks katastrofik, më thotë gjëra frymëndalëse:
-Ne nuk jemi pronarë, ne jemi shofera. Unë kam 30 vjet që transportoj prodhime bujqësore nëpër Europë: Itali, Francë, Spanjë, Angli, Lituani, Latvia, Estoni, Skandinavi, Rusi, Turqi. Vendi juaj është më i bukuri në botë. Prodhimet tuaja bujqësore janë më të mirat e krejt Europës, edhe më të mira se të Turqisë.
Bashkë me mua serbin e dëgjuan të mahnitur edhe një numër divjakarësh që ishin aty rrotull.
Ja, kjo ishte e tëra. S’kam ç’bëj më këtu. Po të ishte mbrëmje, do ikja të mbështesja kokën mbi supin e muzgut të magjishëm të njërës prej grave të mia, Karavastasë. Por jam në mes të zhegut dhe duhet të kthehem, nga frika se nga kaq shumë çudira brenda një dite kaq të nxehtë ka rrezik të më bjerë pika.
Por Melondrama nuk mbaron këtu.
Tek kthehem ftoj në makinë një djalosh.
E quajnë Arbër. Është 21 vjeç. Studion për Teknolog Bujqësor në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Po ikën drejt fshatit Biçukas. Ku e pret një mik moshatar që studion Histori-Gjeografi në Gjirokastër, të cilin Arbëri po vete ta ndihmojë për të ngarkuar dy trailera me nga 24 tonë sharqi secili, të cilat po pret t’i marrë me ngut një serb. Ky miku ka shitur deri tani 7 trailera të tillë me sharqi.
Jam aq me fat në zgjedhjen e këtyre lloj pasagjerëve, sa më duket se m’i dërgon vet’ Zoti. Për ta marrë shtruar muhabetin, e pyes fillimisht Arbrin se si i kanë punët me Fejsbukun. Thotë se prej 6 vjeç deri në varr të gjithë janë në Fejsbuk. Dua ta pyes se a është i sigurt se nuk janë në Fejsbuk nga barku i nënës, po për të mos e prishur rrjedhën e muhabetit e pyes për papunësinë, fukarallëkun, lënien pas dore, mungesën e shpresës, perspektivës. Arbëri thotë se nga ato anë numri ifukarenjve pa punë, pa shpresë, pa perspektivë, është saktësisht sa edhe numri i atyre që nuk janë në Fejsbuk. Ka këtu edhe dembelë që e shtyjnë jetën me gënjeshtra. Duke u qarë, për shembull, se kushton fara, kushton plehu për ta rritur sharqiun, kushton traktori, e të tjera e të tjera. Dhe Arbëri vazhdon me hollësira melondramatike me ta ngjeth mishin: Fermerët myzeqarë nuk mbjellin sharqi të pastër, por sharqi të modifikuar gjenetikisht me pak kungull. Sharqinin, thotë Arbëri, perëndia e ka bërë, aty ta mbjellësh, aty t’i bësh hyzmet, aty ta këpusësh, aty ta çash, aty ta hash. Të mendosh se sharqinit të Divjakës, së pari i duhet detyrimisht të presë pak sa të transportohet nga fusha në Tregun melondramatik të Divjakës. Pastaj prej aty me trailera nëpër qendra të tjera grumbullimi, që kush e di se ku janë në të katër anët e Europës. E prej andej nëpër markata e supermarkata, ku e presin me thela, dhe thelat i mbyllin në qese të puthitura të cilave u kanë hequr ajrin me pompa vakumi. E prapë sharqiri i gjorë të presë nëpër frigoriferat e supermarkatave. E përsëri nëpër frigoriferët e shtëpive derisa dikush ta shijojë, po të mos kishte i mjeri sharqi kungull që ta forconte pak, gjatë kësaj odiseje melondramatike sharqiri ynë do ishte kalbur 100 herë. Ëndrra e Arbërit është që në të ardhmen të gjejë mënyrën sesi në fushat e Myzeqesë të kultivojë sharqi si në Japoni dhe Izrael, sharqi kubik, për të zënë sa më pak vend nëpër trailera.
I them Arbërit:
-O Arbër, ndërkohë që tërë ky sharqi të cilin këtu vjen e merr serbi dhe kuçi dhe maçi, duke i lënë në këtë mënyrë shqiptarët pa sharqi, a nuk është e tëra kjo, si të thuash, një “Tradhti Kombëtare”?!
-Po ç’tradhti kombëtare, o burr’ i dheut. Serbit i shesim sharqi që është 99% ujë, dhe i marrim Euro që janë 99% pasuri. A po m’kupton? Ja, pas pak, do mësohen edhe shqiptarët të hanë sharqi me pak kungull dhe me çmim pak më të lartë, do t’i lenë dënglat dhe do hanë sharqi sa të pëlcasin. Janë rregulla të tregut këto. Të cilat, po nuk i respektuam, kapitullojmë, mbarojmë, dorëzohemi, falimentojmë ekonomikisht të gjithë, si ne që sharqinin e kultivojmë dhe e shesim, edhe ata që ende i bëjnë naze sharqinit me pak kungull.
E shoqëroj Arbërin në Biçukas. Aty, miku i Arbërit, bashkë me nja katër a pesë djelmosha të tjerë, kanë nisur ngarkimin e njërit prej trailerave.
-Ore, u them çunave që ngarkojnë trailerin, kush është Bosi i gjithë këtyre sharqinjve ?
-Është babai im, përgjigjet një djalosh si levrek, që hedh e pret sharqinj nga një furgon në një trailer.
-Si e quajnë babain tënd, atë kapitalist madhështor, që meriton një monument?
-Shaip Kadiu.
-Kush është ky?
Përgjigjet Arbëri:
-Është një fermer, një bujk, një biznesmen. Janë 7 vëllezër. Të shtatë janë fermerë dhe biznesmenë. Por Shaipi është më i zoti, më i talentuari. Shaipi është ideatori, organizatori, truri i të gjitha iniciativave. Jo vetëm të vëllezërve Kadiu. I Biçukasit dhe disa fshatrave të tjerë këtej rrotull.
Tek largohem, pak më tutje, mes ca shtëpive të reja me kopshte mahnitëse, ndala një mesoburrë mbi biçikletë. “Mesoburri” kishte qenë plot 83 vjeç. Më tha se kishte dy djem dhe gjashtë çupa, të gjithë të martuar. Se ishte stërgjysh me stërnipër. Se do t’ia tregonte varrit jetën deri më ’90-ën. Kur në përpjekje për të hequr urinë, misrin e bluanin fshehtas me dy mokrra guri të sajuara.
Ndërkohë perdja ka rënë, Melondrama ka mbaruar, spektatorët janë larguar.
Hap sytë majtas e djathtas për ndonjë copëz toke Myzeqeje të pa punuar. E bëj këtë për t’ua bërë pakëz qefin edhe skeptikëve të Melondramës, kësaj kryevepre ekonomike myzeqare, por s’mundem. Sepse këtejpari nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të pa mbjellë.
Pa dalë në autostradë, ndala për një kafe. Atje njëri më tha se gruaja e tij nuk e hante sharqiun me kungull, sepse, sipas saj, kungulli të deh trutë e kokës dhe të shurdhon nga veshët.
Send i çuditshëm sharqiri;
Teprica, si ca vite më parë, shkakton pezm dhe fukarallëk. Mungesa, si sivjet, sjell Euro dhe entuziazëm.
Serbi sharqinin nuk e blen, por “e merr” ose “e ngre”.
1 kilogram sharqi sa dy cigare, vjen e merr Serbi që do të pushtojë Divjakën, e ha polaku, gjermani dhe gjithë Europa, por nuk e blen dhe nuk e ha shqiptari.
Në Gosë po ata misra të pjekur, po ato baraka të braktisura, po ai pazar, po ata sharqinj të shtremët, po ato domate të vogla. S’do mend që në Gosë tregu ka mbetur me këto kalbësira përderisa gjërat e mira vjen i merr serbi, edhepse me kungull, edhepse pak më të shtrenjta.
Në Golem takova një mik të vjetër kavajs hidraulik, me të cilin pata lënë një takim me celular. Kavajsi tha: Më beso, të lutem. Jo vetëm Serbi. Të gjithë njerëzit e botës janë kunguj me pak sharqi. I vetmi në botë që është sharqi me pak kungull është shqiptari.
Në Shkozet më zunë sytë shkarazi një rrugë nja tre metra të gjerë, të pa asfaltuar dhe me plehra, me emrin “Vaçe Zela”.
Shkozet-Tiranë e bëra duke ndjekur nga pas mbi asfaltin e autostradës drejt Tiranës një sharqi dhe një kungull. Prej të cilëve shihja vazhdimisht vetëm njërin, ose sharqinin ose kungullin. Sepse, kur mbi asfalt shihja kungullin, sharqini isha unë, dhe kur mbi asfalt shihja sharqinin, unë isha kungulli.
Shortlink:
Recent Comments