Eduard Zaloshnja: Aleanca Kuqezi, një flluskë apo një realitet elektoral?

Filed under: Editorial |

Kam patur rastin të marr pjesë në një lëvizje rinore dhe kam ndjekur nga afër dy të tjera. E para, ajo ku kam marrë pjesë, filloi në 8 dhjetor 1990 dhe u shndërrua shpejt në një parti që, vetëm katër muaj pas themelimit, fitoi 40% të votave në një garë të pabarabartë elektorale me partinë-shtet të asaj kohe. Qysh atëherë e deri më sot, kjo parti e ka qeverisur vendin në 12 nga 22 vitet ndërmjet.

E dyta lëvizje rinore, në të cilën nuk mora pjesë, por që e ndoqa nga afër, ishte MJAFT-i. Për nga masiviteti, ajo as që i afrohej dot Lëvizjes së Dhjetorit, por kishte një lajtmotiv disi të ngjashëm me të – sfidimin e moçalishtes politike shqiptare. Dhe pavarësisht mungesës së masivitetit, MJAFT-i gjeneroi entuziazëm publik me metodat novatore të protestës që aplikoi.

Dikur, edhe lëvizja MJAFT u shndërrua në një parti politike – në partinë me emrin ekzotik G-99. Por reazultati elektoral i saj ishte praktikisht afër zeros – ajo mori vetëm 13 mijë vota në garën e saj të parë zgjedhore në rang vendi. Opinioni im për këtë dështim: G-99-ta u fut në garë si një organizatë rinore e PS-së, e jo si një parti që do të sfidonte hegjemoninë e dy partive të mëdha. Dhe në këto kushte, pse duhej t’ia jepnin votën Erion Veliajt zgjedhësit e majtë, kur mund t’ia jepnin drejtpërdrejt Edi Ramës?

Dhe tani le të vijmë tek lëvizja e dytë rinore që kam ndjekur nga afër – Aleanca Kuqezi. Kjo lëvizje pati si bërthamë një grup të vogël juristësh (me në krye ish-nënkryetarin e KLD-së) dhe shoqatën e Tifozëve Kuqezi. Kauza e saj publike: Sfidimi i trysnisë së qarqeve greke për deformimin e statistikave demografike të Republikës së Shqipërisë në favor të pakisës etnike helene.

Meqënëse kjo kauzë rezononte fort me ndjesitë e mija kombëtariste (gjyshërit e mij janë gjakosur dikur në luftë me andartët grekë në jugun e Shqipërisë), e ndoqa nga afër Lëvizjen Kuqezi që nga fillimet e veta. Dhe ajo që kam vënë re nga njëri tubim i saj në tjetrin është masiviteti dhe energjia e pjesëmarrësve të rinj në ta. Do të duhej një studim i mirëfilltë socioligjik për të analizuar shkaqet e këtij masiviteti dhe energjie, por opinioni im është se, në thelb të tij, qëndron frustrimi i të rinjve me moçalishten politike shqiptare dhe me pozitën inferiore që politikanët tanë kanë adoptuar deri më sot ndaj fqinjëve.

Dhe pyetja 1-milion dollarshe është: A do të ketë Aleanca Kuqezi të njëjtin fat elektoral si të G-99-tës, siç kanë aluduar shumë zëra publikë deri më sot?

Sondazhet e publikuara para zhvillimit të zgjedhjeve të 2009-ës tregonin se G-99-ta kishte një përkrahje që rivalizonte me atë të LSI-së, partisë së tretë në vend. Por rezultati i zgjedhjeve tregoi se ajo siguroi shumë më pak përkrahje se LSI-ja, pavarësisht se të dyja mund të jenë “kafshuar” njësoj në tavolinat e numërimit të votave (arësyen e dështimit elektoral të G-99-ës e përmblodha shkurtazi më sipër).

Në mënyrë të ngjashme sot, sondazhet e pakta që kanë qarkulluar në publik tregojnë se Aleanca Kuqezi mund të ketë përkrahje më të madhe se LSI-ja, edhe pse ajo ka publikuar vetëm një program të koncentruar me 10 pika deri më tani. Por, pavarësisht se sa të detajuar apo të koncentruar do ta paraqesë programin elektoral AK-ja, përkthimi i kësaj përkrahje në mandate parlamentare besoj se do të varet nga tre faktorë kryesorë.

Së pari, Kreshnik Spahiu ka deklaruar se Aleanca Kuqezi, që ai drejton, edhe sikur vendit t’i duhet të ripërsërisë zgjedhjet disa herë, nuk do të bëjë koalicion me ndonjë parti që nuk pranon kufizimin e mandateve të zyrtarëve të zgjedhur, duke filluar nga kryeministri e duke zbritur deri te kryetarët e komunave. Në qoftë se AK-ja do t’i përmbahet këtij kushti deri në fund, besoj se frustrimi i të rinjve kuqezinj me moçalishten politike shqiptare do të kanalizohet në votim për siglën e saj.

Së dyti, Kreshnik Spahiu ka deklaruar se Aleanca Kuqezi, edhe sikur vendit t’i duhet të ripërsërisë zgjedhjet disa herë, nuk do të bëjë koalicion me ndonjë parti që nuk pranon platformën e bashkimit Shqipëri-Kosovë para antarësimit në BE, bashkim i cili, sipas AK-së, duhet të fillojë me unifikimin doganor, financiar, energjitik, legjislativ, arsimor etj. Në qoftë se AK-ja do t’i përmbahet këtij kushti deri në fund, besoj se frustrimi i përkrahësve kuqezinj me aferat e dyshimta të politikanëve shqiptarë me vendet fqinjë do të kanalizohet në votim për siglën e saj.

Së treti, Kreshnik Spahiu, qysh prej takimit të parë me ambasadorin amerikan në një lokal në qendër të Tiranës dhe vizitës në Departamentin e Shtetit Amerikan, e ka bërë të qartë se aktiviteti politik i Aleancës Kuqezi, jo vetëm që nuk do të bjerë ndesh me strategjinë amerikane në Ballkan, por do të jetë ngushtësisht e sintonizuar me të dhe me atë të Brukselit. Vajtja demonstrative e ambasadorit amerikan në Kongresin e Aleancës Kuqezi në Tiranë, fill pas mosvajtjes në senacën e zgjedhjes së presidentit të njëanshëm nga mazhoranca, duket se është një tregues që sintonia mes Aleancës Kuqezi dhe Uashingtonit vazhdon të funksionojë. Dhe në qoftë se kjo parti do ta vazhdojë këtë sintoni, besoj se shumë përkrahës kuqezinj, të sugjestionuar edhe nga kjo sintoni, mund ta kanalizojnë sugjestionimin e tyre në votim për siglën AK.

Res Publica

 

 

 

Shortlink:

Posted by on 23/06/2012. Filed under Editorial. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*


9 + = 10

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Jepi Like 123albania.com