Flaka Surroi: Shteti ku e keqja gufon

Filed under: Opinion |

Flaka Surroi

E keqja nuk e ka vetëm emrin vrasje, hajni, mashtrim, rrenë. E ka edhe emrin papërgjegjësi, teksa vendos për ata që ende besojnë se kjo që e jetojnë është vetëm ankth që do të kalojë. Sa më shpejt, aq më mirë

Nuk ka dyshim se lajmi që i qiti të gjithat në hije ishte ai për vdekjen makabre të kosovaro-amerikanit Dino Asanaj, tashmë ish-shef i privatizimit në Kosovë. Përderisa i shkruaj këta rreshta, burimet thonë se vdekjen ia shkaktoi vetes me një goditje në zemër me armë të ftohtë, si pasojë e shantazheve që i ishin bërë. Por, përderisa lajmi nuk konfirmohet, pa dyshim mbetet i hapur opsioni i vrasjes që do të mund t’ia ketë shkaktuar dikush me goditje në zemër e me armë të ftohtë.

Cilido opsion që të ketë qenë, vdekja e këtillë rrëqethëse ka një reflektim tejet negativ për Kosovën, posaçërisht në raport me botën e jashtme, që edhe ashtu po na shikon me sy të shtrembër. Është tragjike dhe u përjetua si e tillë në Kosovën ku jeta thuajse nuk ka vlerë, sepse mund të të shkojë edhe për një thikë. Po qe se Asanaj është vrarë (Qeveria u ngut ta “dënojë aktin makabër e kriminal të vrasjes”), kjo dëshmon për terrenin e kriminalizuar në të cilin është shndërruar Kosova – mund të vritesh në shtëpi tënden për punën që e kryen në agjencinë në krye të së cilës të ka sjellë kryeministri. Vritesh për para, për talle, për shantazhe, për shumë informata se kush, ku dhe çka ka blerë a përvetësuar – që të gjitha të lidhura për prona që blihen me kapital të turbullt që mbase edhe vjen për t’u shpëlarë në Kosovë. Po qe se është vetëvrarë, kujtoj se do të ketë pasur zor shumë të madh për ta ndërmarrë një gjë të këtillë, ngase më parë se qyqarllëk, e besoj se duhet pasur guxim e kurajë për t’ia marrë vetes jetën. E zori ka mundur të jetë shantazhi, kërcënimi i familjes apo zbulimi i ndonjë sekreti personal a intim që do të mund të shuhej me ndarjen e dhunshme nga jeta.

Është vdekje bizare, e ndodhur në rrethana të palumtura për Kosovën, e që përçon një mesazh shumë të keq në Perëndim – kjo është Kosova, shteti ku e keqja gufon e që nuk mund ta kamuflojë asnjë spot publicitar në CNN. Është vdekje që të bën t’i qash dyfish të gjitha viktimat që u flijuan për jetën tonë në pavarësi – sepse e dyshoj shumë se edhe ata e edhe ne ta kemi parafytyruar jetën të këtillë çfarë e kemi: të keqe e të rrethuar me hajni, (vetë)vrasje, rrena e mashtrime…

Rastis që kjo ngjarje fatale të ketë ndodhur mu në kohën kur EULEX-i ka nisur një fushatë televizive që nis me konstatim/pyetjen: EULEX nuk është duke bërë asgjë për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë (?). Pra nëse EULEX-i vërtet beson se është duke bërë diçka, ja ku e ka shansin të zbulojë shumëçka nga një burim i pasurimit shumë të lehtë të shumëkujt që ia ka parë hairin të qenit i lidhur me “krahun e luftës”. Në një vend ku asnjë send nuk duket se mund të funksionojë pa ryshfet, pa “intervencë”, pa ushtrim ndikimi, të thuash se për gati katër vjet ke arritur që t’i dënosh vetëm 37 persona (gjykatës, policë, zyrtarë të qeverisë, politikanë & drejtues biznesesh, thuhet në reklamën e EULEX-it) dhe se po i zhvillon 60 hetime e 8 gjykime – nuk thotë se je duke bërë shumë për të luftuar korrupsionin në asnjërin nivel. Por, megjithatë, një të mirë e ka kjo fushatë: zyrtarisht pranohet, edhe nga misioni teknik i ftuar për ta ndihmuar drejtësinë në Kosovë, se këtu ka korrupsion dhe se nuk është kjo imagjinatë e atyre që mendojnë se Kosova e ka fatin e keq të udhëhiqet nga kjo Qeveri.

E se e ka fatin e keq që ka këso Qeverie, këso opozite të kotë (me një përjashtim të vetëm, VV-në, e cila kryesisht është përpjekur së paku, që të tingëllojë e të veprojë si opozitë përnjëmend) dhe kësi përfaqësues institucionesh, nuk duhet folur shumë për të dëshmuar. Ta marrim për shembull qasjen ndaj Distribucionit të energjisë elektrike. Kjo është çfarë shkroi një mik imi studioz në statusin e tij në FB: “Një fakt interesant: në vitin 2010, “Limak” pagoi 940 milionë dollarë për vetëm 33% të aksioneve në ndërmarrjen e distribucionit UEDAS në Bursa të Turqisë. 940 milionë dollarë për vetëm 33% të aksioneve. Në Kosovë “Limak” bleu 100% të pronës për 28 milionë dollarë. Ndoshta vetëm mua diçka nuk po më duket në rregull?”

Shkruesi i këtyre rreshtave, Besnik P., nuk është i vetmi që mendon që diçka nuk është në rregull me këtë gjë. Janë edhe mediumet tona që janë duke insistuar, ka më shumë se dhjetë ditë të marrin më shumë informata në lidhje me faljen e këtij aseti dhe që nuk ia dalin të marrin asnjë informatë relevante nga falësit, e për më keq, as nga opozita, që nuk do të duhej të lejonte që kjo të ndodhte. Pra, do të mbetemi pa kontrollin mbi shpërndarjen e rrymës për një shumë qesharake parash, me të cilat mund t’i ndërtojmë 2,6 kilometra të asaj autostrade zeher të shtrenjtë, dhe për atë të mos çajë kokë askush, për shkak se gjithmonë do të gjendet diçka që është më prioritare. Siç ia del të gjejë, për shembull, kryetarja jonë.

Jahjaga më në fund “i tregoi dhëmbët”. Në një intervistë në studion e Zërit të Amerikës (kësaj radhe pa letra përpara), duke e përsëritur katër herë “Gjykata Kushtetuese”, në një paragraf të vetëm tregoi se si ia kishte shpjeguar Kushtetueses atë që e kishte thënë para një kohe – se ajo nuk ishte pjesë e marrëveshjes, por ishte rezultat i marrëveshjes, dhe se e tillë do të mbetej. Duke lënë të kuptohet se nuk kishte për obligim t’i përmbahej mandatit 18-mujor (edhe ashtu tashmë janë tejkaluar dy muaj të planifikuar) që ia kërkonin partitë politike, ngase ajo ishte zgjedhur për mandat 5-vjeçar në atë post.

Shumë legjitime do të thosha – përse do të duhej Jahjaga të hiqte dorë nga një post, i cili ia ka ndërruar standardin dhe stilin e jetesës. Pse ta lërë një post me të cilin e shëtit botën në emër të popullit dhe shkon në Amerikë sa herë që dikujt i bie ndërmend se mund ta thërrasë në ndonjë konferencë të rëndësisë dytësore dhe në takime nën nivelin e saj protokollar. Merreni për shembull lajmin nga mesi i javës, që doli nga kumtesa e zyrës së saj: Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua në Washington me kryesuesen e nënkomitetit të Senatit të SHBA-së për Evropë, senatoren Jeanne Shaheen. Zonja Shaheen me siguri është grua e mençur dhe me peshë në Senatin amerikan, por, megjithatë, është vetëm anëtare e Parlamentit amerikan (për ta quajtur disi), kurse zonja Jahjaga është kryetare e një shteti të cilin SHBA-ja e ka njohur. Nuk e di nëse ky takim është mbajtur në hapësirat e Senatit apo mbase dikujt i është kujtuar se kjo do të mund të mbahej edhe në Ambasadën tonë në Washington. Aty ku është dashur të mbahej edhe intervista me Zërin e Amerikës – aty ku është dashur të ruhej niveli, të cilin vetë kryetarja nuk e ruan. Përse atëherë do të duhej të lodheshin të tjerët për të na e ruajtur?

Sidoqoftë, zonja Jahjaga vazhdon vizitën në SHBA, në pritje të përgjigjes që do t’ia japë Gjykata Kushtetuese në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamenteve që i ka miratuar Komisioni Kushtetues i Kuvendit. Në rastin e saj, problematik është amendamenti X (dhjetë), i cili thotë se “zgjedhjet për presidentin e Republikës së Kosovës, në përputhje me nenin 86 të Kushtetutës, mbahen brenda 6 (gjashtë) muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese dhe ligjore relevante” dhe që mandati i presidentit aktual, i zgjedhur nga Kuvendi, sipas dispozitave të mëhershme të Kushtetutës, vazhdon derisa “presidenti i ri të zgjidhet dhe të bëjë betimin”. Kur gazeta kishte aktualizuar këtë çështje para një kohe, burimet brenda Komisionit kishin thënë se këtë amendament e kishin shkruar amerikanët, gjë të cilën e kishte demantuar Ambasada amerikane, ani që kishte pranuar se ekspertët amerikanë kishin dhënë përkrahje teknike në Komision.

Pra, esenca e këtij amendamenti është se po qe se kalon, do ta legalizojë shkeljen e ligjshmërisë dhe të parimit të mospasjes së fuqisë retroaktive të një dispozite a akti juridik. Në fakt, do të jetë legalizim i shkeljes së Kushtetutës dhe hapja e një precedence shumë të rrezikshme, ngase po qe se amendamentet kushtetuese mund të anulojnë një të drejtë të fituar dhe të kufizuar me kohë, atëherë çfarëdo neni i çfarëdo ligji mund ta ketë efektin e njëjtë, pavarësisht dëmeve që mund t’i shkaktojë. Pra, Jahjaga ka të drejtë kur thotë se ajo është zgjedhur për mandat pesëvjeçar – se ashtu e thotë Kushtetuta. E një marrëveshje politike e tri subjekteve politike në praninë e një ambasadori, askund nuk mund të jetë më e fuqishme sesa Kushtetuta. Pos ndoshta në Kosovë, me aminin e mentorëve tanë ndërkombëtarë.

Ishte paksa shokuese të dëgjohej kryetari i LDK-së tek thoshte se “Marrëveshja politike duhej respektuar”, përderisa anëtarja e LDK-së në Komisionin Kushtetues deklaronte se nëse amendamenti X nuk kalonte, LDK-ja nuk do ta votonte pakon e ndryshimeve kushtetuese. Zonja Osmani do të duhej të dinte më mirë se amendamenti X është në esencë kundërkushtetues dhe se mandati i kryetares nuk mund të ndërpritet me amendament kushtetues – se nuk jemi në gjendje lufte. Për më tepër, ajo do të kujtojë shumë mirë se një “marrëveshje politike” tashmë kishte qenë arsye që njëri kryetar i Kosovës të shpallej shkelës i Kushtetutës. Të kujtojmë pakëz argumentimin e Fatmir Sejdiut kur u shkarkua nga posti – “se kishte pasur një konsensus politik se ai mund t’i mbante të dyja postet pa telashe”, ani që mbajtja e postit partiak, si post publik që ishte, i ishte ndaluar me Kushtetutën. Marrëveshja politike, gojore, atëherë nuk kishte qenë më e fuqishme se Kushtetuta. Pra, pse do të duhej të ishte ndryshe kësaj radhe.

Tash e kemi një marrëveshje politike, jashtëparlamentare dhe jo gjithëpërfshirëse, për shkak se nuk i përfshin as dy parti të tjera opozitare e as minoritetet. E kemi një kryetare të dalë nga zarfi me vullnetin e ambasadorit amerikan dhe e kemi një Kuvend që ia ka votuar mandatin 5-vjeçar. Për zonjën Jahjaga mbesin dy opsione shumë logjike të sjelljes: po qe se Kushtetuesja vendos se amendamenti X nuk kalon, ajo do ta përcjellë situatën politike dhe po qe partitë politike nuk janë të disponuara për zgjedhje brenda gjashtë muajsh pas miratimit të amendamenteve, ajo nuk do të japë dorëheqje. Në këtë kontekst do të presë për instruksione të mëtejme: po qe se ndërmjetësuesi ndërkombëtar i marrëveshjes politike krijon besimin se koha ka ardhur që ajo të tërhiqet, ngase duhet organizuar zgjedhje, ani që reforma zgjedhore nuk është askund të horizont, atëherë ajo nuk do të ketë opsion tjetër pos të kthehet në zarfin prej nga ka dalë. Opsioni i tretë është që tërhiqet vetë, në respektim të plotë të marrëveshjes, rezultat i së cilës ka qenë – por jo pa shkuar edhe nja dy herë në Amerikë e Bruksel. Prandaj, edhe do të ishte mirë që të mos shkelej Kushtetuta, ngase kjo çështje ka zgjidhje të lehtë – një këshillë e mirë amerikane do t’i sjellë të gjitha gjërat në vend.

Por zgjidhje të lehtë nuk ka për këtë kastë sunduesish që e trajtojnë Kosovën pronë private. Në fakt, nuk e trajtojnë, por sillen me të si me pronën private. Disponojnë me pasurinë e saj ashtu siç ua ka ënda. Përhapin ndikimin e tyre në të gjitha poret e jetës dhe institucionet, duke dërguar dhe pozicionuar njerëzit e vet. Reagojnë ndaj asaj që shkruajnë mediumet jo për shkak se ndiejnë përgjegjësi apo brejtje ndërgjegjeje për dëmin që ia shkaktojnë popullit të vet. E bëjnë për shkak se dikush, kohë pas kohe në Evropë ua ngreh veshët me ndonjë Raport Progresi. E po qe se ndonjëherë dëshmojnë se po përmirësohen, atëherë iu rriten gjasat për t’u ftuar në takime në Bruksel, ashtu kot, sa për të thënë se janë faktor i rëndësishëm politik në rajon. Dhe zgjidhja nuk do të na vijë, përderisa kjo kastë do ta ketë përkrahjen e përfaqësuesve të fuqishëm diplomatikë që do të pajtoheshin t’i përkrahnin ani që e dinë se janë të ligj… për shkak se janë të dëgjueshëm.

E keqja në Kosovë nuk e ka vetëm emrin vrasje, hajni, mashtrim, rrenë. E ka edhe emrin papërgjegjësi, teksa vendos për ata që ende besojnë se kjo që e jetojnë është vetëm ankth që do të kalojë.

Sa më shpejt, aq më mirë.

flaka@koha.net

 

Koha Ditore

 

 

 

Shortlink:

Posted by on 17/06/2012. Filed under Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*


+ 6 = 8

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Jepi Like 123albania.com