Projekti europian po lëkundet. Natyrisht, jam i bindur se kriza e vazhdueshme e borxhit sovran të eurozonës do të tejkalohet dhe se një Europë edhe më e integruar dhe efektive do të rishfaqet. Mirëpo, për të arritur deri te kjo Europë e përmirësuar jo vetëm duhet të zgjidhet kriza e borxhit sovran, por edhe marrëdhëniet me tre shtetet kryesore në lindje të Europës – Turqi, Rusi dhe Ukrainë – do të duhet të vihen në një bazë më të sigurt.
Unë i përkas atij brezi spanjollësh që jetoi nëpër tranzicionin nga diktatura në demokraci, katër dekada më parë. Për ne Bashkimi Europian ishte një ëndërr. Në fakt, ne citonim Ortega y Gasset-in: “Nëse Spanja është problemi, Europa është zgjidhja”.
Vazhdoj të besoj, shumë fuqimisht, se Europa është zgjidhja, pjesërisht për shoqëritë që duhet të thellojnë – nëse jo të krijojnë – një traditë demokratike. Marrëdhëniet më të ngushta ndërmjet Europës dhe Turqisë, Rusisë e Ukrainës mund t’u sjellin atyre shumë nga të njëjta përfitime, të cilat ne në Spanjë gjithnjë i lidhim me Europën.
Turqia, natyrisht, është ende një kandidate për anëtarësim në BE, por negociatat e saj për hyrje po ecin shumë ngadalë, gjë kjo që nuk është aq e mençur në aspektin strategjik, për shkak se autoriteti i fortë i Turqisë në Lindjen e Mesme ka rëndësi vitale për Europën (dhe mbase edhe më i rëndësishëm sesa i vetë asaj). Duke filluar nga Siria e në të gjitha shtetet e tjera të “Pranverës arabe”, ndikimi i Turqisë është më se i madh dhe bashkëpunimi i mëtejshëm me BE-në s’mund të jetë veçse i dobishëm.
BE ka krijuar një kanal komunikimi me Turqinë për çështjet politike. Por nuk e ka zgjidhur “luftën” e marrëdhënieve. Shpresoj me gjithë zemër që Turqia të bëhet një anëtare e BE-së, për shkak se një shtet që është musliman, demokratik dhe kryesisht i ri mund të forcojë Unionin në shumë mënyra vitale.
Debati rreth anëtarësimit të Turqisë pritet të bëhet më i nxehtë në gjysmën e dytë të këtij viti, kur Qiproja merr presidencën e radhës të BE-së. Turqia, të jemi të sinqertë, nuk do ta pranojë Qipron e ndarë të të sotmes si përfaqësues të vetëm të atij ishulli. Një tjetër çështje që mund të sjellë ndërlikime është zbulimi i naftës në afërsi të brigjeve qipriote. Kushdo planifikon të bëjë shpime, aty do të përballet me një përplasje të madhe, që mund t’i çojë vendet buzë lufte, me Qipron që pretendon se rezervat shtrihen brenda ujërave të saj territoriale dhe Turqinë që kundërshton me pretendimin se Qiproja nuk ka fare ujëra territoriale, për shkak se Qiproja, të paktën për turqit, nuk ekziston.
Rusia është bërë një tjetër faktor ndërlikues për Europën. Vladimir Putin, i cili tashmë është kthyer në presidencë, mund të jetë i njëjti person sikurse dikur, por Rusia ka ndryshuar. Vala e fundit e protestave në Moskë dhe përgjatë gjithë vendit ka sfiduar kufijtë e pushtetit të tij. Unë besoj se Putin e kupton këtë, e ky është një fakt i rëndësishëm për diplomacinë e së ardhmes.
Përgjatë ditëve të ardhshme formimi i qeverisë së re të Rusisë do të zbulojë shumëçka rreth marrëdhënieve të pushtetit ndërmjet konservatorëve dhe liberalëve. Ç’është më e rëndësishmja, miliarda dollarët e pasurive publike janë në rrezik, për shkak të një plani të privatizimit të hartuar nga ish-presidenti Dmitry Medvedev.
Në këtë pikë BE-ja ka një kornizë – Partneritet për Modernizim, të negociuar me Medvedevin – që mundet potencialisht të ishte shumë pozitive. Hyrja e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë më 2011 mundet po ashtu të ndihmojë në garancitë që shteti të luajë sipas rregullave ndërkombëtare, siç ka ndodhur me Kinën kur iu bashkua OBT. Besnikëria e Rusisë ndaj kornizës ligjore të OBT-së duhet të nisë t’i bëjë marrëdhëniet ekonomike me të shumë më të qëndrueshme dhe të parashikueshme.
Më parë, pranimi i Rusisë në OBT bllokohej nga Gjeorgjia, e cila e hoqi veton vitin e kaluar, pas një aksioni të diplomacisë së elegancës, që krijoi një mekanizëm të kontrollimit të kufirit pa i njohur rajonet separatiste të Osetisë Jugore dhe të Abkhazisë, as si pjesë të Gjeorgjisë e as si shtete të pavarura.
Kjo zgjidhje, edhe pse e komplikuar, paraqet një rezultat të mirë për rajonin.
Duke pasur parasysh shkallën e problemeve dhe të mosfunksionimit aktual të Ukrainës, një zgjidhje elegante ndoshta as nuk do të ishte e mundur e as e mjaftueshme. Ukraina, në të cilën kam qenë i përfshirë që nga pavarësimi, ka paraqitur frustrim të madh për mua. Isha i përfshirë në negociatat që ndihmuan në arritjen e një zgjidhjeje paqësore për Revolucionin Portokalli të viteve 2004-2005. Por lufta e brendshme pasuese ndërmjet liderëve të revolucionit, Yulia Tymoshenko dhe Viktor Yanukovych, ishte aq destruktive saqë Viktor Yanukovych, përpjekjet e të cilit për të manipuluar zgjedhjet presidenciale të 2004-tës nxitën revolucionin, tani është President, ndërsa Tymoshenko është në burg.
Për BE-në, Ukraina vazhdon të jetë një problem serioz. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse e tregtisë së lirë dhe bashkëpunimit me BE-në mbetet ende e panënshkruar, falë burgosjes së Tymoshenkos dhe të tjerëve. Fatmirësisht, bazuar në interesimin e Unionit për ukrainasit e thjeshtë, ekziston ende shpresë se realiteti do të bindë Yanukovychin dhe elitën sunduese të Ukrainës t’i kthehen shtegut që do të lejonte nënshkrimin e marrëveshjes.
Pushteti i butë i Europës ka ndryshuar shumë gjëra në shumë shtete gjatë dy dekadave të fundit, duke i nxitur liderët dhe qytetarët që t’i reformojnë ekonomitë e tyre dhe të përqafojnë apo forcojnë vlerat dhe institucionet demokratike. Mund të vazhdohet me këtë në Turqi, në Rusi dhe në Ukrainë, ose nëpërmjet mospërkujdesjes dhe mosveprimit, Europa mund të humbë besueshmërinë, ndikimin dhe mundësitë ekonomike.
*Autori ka qenë ministër i Jashtëm i Spanjës, sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë. Aktualisht është kryetar i qendrës ESADE për ekonomi globale dhe gjeopolitika dhe një anëtar i Institutit Brookings.
Shortlink:
Recent Comments