Kukan: Na ka ardhur në majë të hundës me politikanët shqiptarë

Filed under: Kryesore |

Zemërimi i SHBA dhe BE

Në kohën kur vendit i kanë ngelur tre muaj kohë nga momenti i vlerësimit të radhës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian zyrtarët e lartë të institucioneve europiane shprehen se politikanët shqiptarë u kishin ardhur në majë të hundës. Në një intervistë për “Top Channel”, kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan, shfaqet i ashpër dhe i drejtpërdrejtë për situatën, duke theksuar se pavarësisht mundësive të mëdha që Brukseli i ka dhënë Shqipërisë, ende dy partitë kryesore nuk po gjejnë konsensus për reformat që kërkohen. “Tani do ta them troç: neve këtu na ka ardhur në majë të hundës duke lexuar akuzat e njërit kundër tjetrit, apo të këtij të fundit kundër të parit. Nuk mund të vazhdojë kështu nëse Shqipëria do që të arrijë një farë progresi. Koha po fluturon shpejt e muaji nëntor, kur do të kemi raportin e progresit të komisionit, nuk është më kaq larg. Po ku janë rezultatet?”, shpërtheu Kukan, duke pyetur me çudi se si ndonëse në Bruksel raportohet se palët po punojnë bashkë, nuk arrihet dot të nxirret një rezultat i përbashkët. Pavarësisht deklaratave të ashpra, Kukan thekson se ai është një optimist i lindur, që përkthehet se Shqipëria mund të ketë ende shans ta marrë statusin e vendit kandidat këtë vjeshtë. Por drejtuesi i lartë i PE-së nuk harroi të shtojë se mosmarrja e statusit këtë vit do të ishte një ogur tepër i keq për vendin, duke i hequr të drejtën për të pasur përfitime të tjera nga Komisioni Europian. “Nëse nuk do të ketë ndryshim të kësaj qasjeje apo të kësaj filozofie politike atëherë unë jam i shqetësuar që Shqipëria mund të humbasë edhe më shumë mundësi të tjera në të ardhmen, dhe kjo do të ishte thjesht shumë gjë e keqe”, theksoi kryetari i delegacionit të PE-së për Ballkanin. Ai theksoi gjithashtu se Brukseli nuk mund të pranonte më reforma gjysmake, por kërkonte rezultate konkrete përpara se të merrte vendimin e radhës për të ardhmen e Shqipërisë. Në lidhje me gjetjen e “fajtorit” për këtë situatë, Kukan theksoi se përgjegjësia më e madhe i takonte qeverisë, duke theksuar se ekzekutivi duhet të tregonte se kishte vullnet për çështjen e integrimit në BE. “Do të varet nga sjellja e qeverisë. Nëse kanë vullnet do të duhet ta dëshmojnë. Unë nuk mendoj se, nëse do të ketë zero rezultate, do t’ia arrijnë që të hedhin të gjithë fajin mbi opozitën. Do të varet se si do të sillen ata realisht, pasi nga ne nuk do të pranohet asgjë tjetër përveçse rezultateve si dëshmi se gjërat po ecin”, deklaroi Kukan. Ai nuk ngurroi të përsërite dhe faktin se ishte i zhgënjyer nga mënyra sesi mazhoranca e kishte zgjedhur Presidentin e ri të vendit. Sipas tij ishte e rëndësishme të ndahej procesi i zgjedhjes së Presidentit nga emri i tij. Për Bujar Nishanin, Kukan theksoi se e respektonte si figurë, ndërsa theksoi se procesi për zgjedhjen e tij nuk kishte qenë konsensual i pranuar nga të gjitha palët.
“Procesi, siç e thashë, duhej të kishte qenë më shumë transparent dhe me më shumë konsultime. Duke pasur parasysh situatën ku Shqipëria ndodhet për një kohë të panevojshmërisht kaq të gjatë, unë do të kisha pritur shumë më shumë pjekuri politike dhe përgjegjësi”, theksoi Kukan. Sipas tij, Europa kishte bërë gjithçka për ta afruar vendin tonë drejt saj dhe tashmë radha i takonte pikërisht Shqipërisë. “Shqipëria nuk do mund të thotë se institucionet europiane nuk e çanë kryet dhe nuk na ndihmuan. Pra përgjegjësia është në anën tuaj, në anën e Shqipërisë. Dhe peshorja nuk është aspak e favorshme për Shqipërinë. Por shansi është aty”, theksoi kreu i PE-së për Ballkanin. Sipas tij, vendi ka pak kohë në dispozicion, por nëse ajo humbet atëherë Shqipëria do të humbasë kohë të çmuar për një kohë shumë të gjatë.


Samiti i PPE
Berisha, të enjten në Bruksel për zgjerimin
Në një kohë kur Shqipëria është përpara një sfide të madhe siç është provimi i tretë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, të enjten e ardhshme Kryeministri Berisha do të jetë në Bruksel. Burime nga Kryeministria konfirmojnë faktin se kreu i qeverisë shqiptare do të marrë pjesë në Samitin e radhës të Partive Popullore Europiane, ku përveç liderëve europian të të djathtës do të jenë të pranishëm dhe dy autoritetet më të larta të Bashkimit Europian, si presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy, si dhe presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso. Nisur nga kjo prezencë pritet që kreu i qeverisë shqiptare Berisha të shpjegojë dhe pozicionin e mazhorancës për ngecjen e reformave, të cilat janë vendosur si kushte të panegociueshme në shkëmbim të statusit të vendit kandidat në BE këtë vit. Por përveç drejtuesve të BE-së, në takim do të marrin pjesë dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, Jean Claude Juncker i Luksemburgut, Traian Basescu i Rumanisë, Victor Orban i Hungarisë etj. Në këtë mbledhje të radhës së PPE-s do të marrë pjesë dhe Kryeministri i sapozgjedhur i Greqisë, Antonis Samaras. Në njoftimin zyrtar për këtë mbledhje theksohet se në axhendën e bisedimeve do të jetë dhe përgatitja e Këshillit Europian i cili do të mbahet në datën 29 qershor. Partitë Popullore Europiane janë një nga grupet më të mëdha dhe më me influencë në institucionet europiane. Duke përfshirë parti të djathta dhe të qendrës të djathtë, PPE ka 73 parti anëtare në 40 vende të Europës. Grupi i PPE-s në Parlamentin Europian është më i madhi dhe për pasojë mazhoranca kryesore në këtë forum të rëndësishëm të BE-së. Kryeministri Sali Berisha nisur nga pozicioni i tij si kryetar i Partisë Demokratike merr pjesë në mënyrë të shpeshtë në mbledhjet e këtij grupi të rëndësishëm politik në Europë. Në mbledhjet e fundit të këtij grupi, Berisha ka folur kryesisht për zhvillimet ekonomike në Shqipëri.

Pergaditi F.Mejdini  – SHQIP

 

 

 

 

Shortlink:

Posted by on 22/06/2012. Filed under Kryesore. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*


+ 7 = 11

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Jepi Like 123albania.com