Mero Baze: Shteti i mafies

Filed under: Opinion |

Aksidenti i autobusit me delegatë të Aleancës Kuqezi ka gjithë gjasat të jetë aksident tipik shqiptar. Një fuoristradë nervoze, siç bëhen nervozë parelinjtë e rinj shqiptarë që nuk i le dikush të parakalojnë, i ka prerë rrugën autobusit, e ka goditur dy herë sipas dëshmitarëve, i ka humbur atij sigurinë dhe e ka çuar në humnerë. Deri këtu nuk ka asgjë as politike dhe besoj as specifike kundër një autobusi me delegatë të një partie kundërshtare të regjimit. Në momentin që kreu i kësaj partie, Kreshnik Spahiu, denoncoi këtë gjest të papërgjegjshëm, që është një pikë kyçe në aksidentin, i cili mund të kishte përfunduar tragjikisht, hyn në lojë politika e Sali Berishës. Efekti i parë i qëndrimit të tij politik ndaj aksidentit është mos gjetja e fuoristradës menjëherë. Edhe tani që unë po shkruaj këto rreshta, pesë orë pas aksidentit, ajo nuk është gjetur. Në raste të tilla policia jonë e lokalizon dhe e gjen makinën brenda orës. Sapo ngjarja u lidh politikisht me një kundërshtar të regjimit, instinkti i parë i policisë së politizuar shqiptare është mosgjetja e autorit. Për të bërë edhe me banale situatën dhe për ta politizuar në ekstrem, një deputet idiot i PD-së nga Librazhdi shkon në spital dhe zbon dhe gazetarët të mos filmojnë të plagosurit që janë “armiq” të pushtetit. Më tej akoma kjo telenovelë e qëndrimit ndaj armikut do të vazhdojë me zvarritjen e hetimeve, me gjetjen përgjegjës të shoferit të autobusit dhe ndoshta mosgjetjen kurrë të fuoristradës misterioze që ka shkaktuar aksidentin.
Kjo është tashmë një praktikë e njohur e mënyrës se si reagon politikisht shteti i politizuar i Sali Berishës ndaj ngjarjeve që kanë të bëjnë me kundërshtarët e tij. Sali Berisha nuk është në shumë raste iniciator i aksidenteve apo sulmeve mbi kundërshtarët e tij. Ai ia ka lënë këtë shans klimës së tensionit ndaj tyre dhe shantazhimit publik, duke nxitur iniciativa vullnetare për eliminimin e tyre. Ai hyn në lojë gjithmonë kur sulmi apo aksidenti ndodh. Detyra e tij e vetme është të fshehë vrasësin, agresorin ose qoftë dhe personin aksidental që ka kryer sulmin. Në këtë kuptim ky është një shtet politik, shumë më i rrezikshëm se sa shteti që të zhduk politikisht.
Tre vjet e ca më parë, në Roskovec u ekzekutua një deputet i Partisë Socialiste tek dera e shtëpisë së tij. Ministri i Brendshëm i asaj kohe, presidenti i sotëm, Bujar Nishani, deklaroi se vrasësi do të kapet pas disa ditësh. Shpiku dhe stërshpiku pista ordinere dhe jopolitike, por vrasësin nuk e gjeti kurrë, edhe pse shumë vetë në Fier ta tregojnë me gisht në radhët e PD-së. Parimi se vrasësi i armikut është miku im, funksionon si frymë terrori ndaj kundërshtarëve politik. Ne tashmë nuk dimë nëse Fatmir Xhindi u vra për arsye ordinere, politike apo aksidentale, por dimë që vrasësi i tij mbrohet për arsye politike.
Një histori e ngjashme u përsërit me një kryetar komune në veri të vendit, në Kukës. Edhe ai ishte opozitar. Kishte opsione të ndara mbi tipin e tij pro dhe kundër. Kishte dhe pista të ndryshme për vrasjen e tij disa metra larg shtëpisë. Ato mund të ishin politike, ordinere ose aksidentale. Por nuk u zbulua kurrë. Gjithkush që është kundër Sali Berishës duhet ta mësojë se po u vra, kurrë nuk do të zbulohet vrasësi, po u qëllua dhe u dhunua, kurrë nuk do të dënohet dhunuesi, po u aksidentua me vetëdije apo vetëdije, kurrë nuk do të zbulohet aksidentuesi.
E pata provuar vetë me një bandit që shëtit me fotografinë e Liri Berishës në makinë dhe që shteti i fal pa mbledhur rreth 100 milionë dollarë. Më qëlloi në një kafe bashkë me dy kolegët e mi gazetarë, erdhi policia në vendngjarje, dokumentoi krimin, reagoi gjithë bota kundër tij, por Sali Berisha bash në këtë moment e mori në mbrojtje, thuhet në shtëpinë e tij, dhe policia për tre ditë nuk e “gjente” dot askund. Kur gjykata mori vendim për ta arrestuar, u dorëzua. Qeveria u angazhua në një betejë të paprinciptë, natyrisht duke shijuar dhe milionat e tij, dhe në fund e shpalli të pafajshëm. Gjykatësi xhepfryrë nuk besoi as policinë, as dëshmitarët, por vetëm arsyetimin e tij “se ai nuk kishte interes ta bënte këtë”. Sot është i lirë dhe kërkon 100 mijë euro nga mua pse jam ankuar që ai është bandit dhe më ka qëlluar. Është frymëzimi që i jep Sali Berisha banditëve të tij dhe gruas së tij për të vjedhur, vrarë dhe dhunuar pa u hyrë gjemb në këmbë në këtë vend.
Të shtunën mbasdite duke zbritur Qafë Krrabën, sipas 32 dëshmitarëve që ishin në autobus, një fuoristradë ka qëlluar dy herë nga pas autobusin dhe më pas i ka prerë rrugën duke e çuar në greminë. Mund të ketë qenë i pirë, mund të ketë qenë e qëllimshme, mund të jetë dhe ndonjë idiot që s’di t’i japë makinës, por e sigurt është se prej momentit kur u mor vesh se ai hodhi në greminë 32 kundërshtarë të regjimit, nuk po gjendet. Të gjithë duhet ta dinë se kush ka të bëjë me Sali Berishën dhe familjen e tij mund të përfundojë në greminë, mund të përfundojë si Fatmir Xhindi, mund të përfundojë si Kosta Trebicka, mund të përfundojë si komunari i Kukësit i vrarë para shtëpisë, mund të përfundojë dhe si unë që dënohem pse kam thënë që më ka dhunuar sponsori i Liri Berishës, por dhunuesit, vrasësit, apo aksidentuesit nuk do të gjenden kurrë.
Nga ana tjetër shikoni se çfarë turpi ndodh në jug të vendit. Polica mban të rrethuar një fshat që quhet Lazarat, një plantacion zyrtar droge, arreston të zi e të bardhë që shkojnë të punojnë aty për bukën e gojës, po askush nuk prek të zgjedhurit vendorë, që sipas ligjit Berisha duhet të arrestohen, askush nuk prek kapobandat që shesin me shumicë drogën dhe që bëjnë be për kokë të Sali Berishës. Është shembulli se si inkurajohen ata që janë me pushtetin, të cilëve u premtohet pasurim përrallor dhe si dekurajohen kundërshtarët e regjimit, të cilëve u jepet mesazhi vdekjeprurës.
Është në logjikën e një njeriu që kërkon të ngjallë terror jo vetëm me aktet e tij vrastare, por dhe me mosveprimin ndaj vrasësve dhe dhunuesve. Është filozofia e njeriut që kërkon të sundojë me terror dhe kur atë nuk e ushtron vetë, por e mbron. Është mënyra se si Sali Berisha shpreson të mbajë të frikësuar këtë shoqëri dhe si të inkurajojë banditët dhe trafikantët e vet, që të ndjehen zot të vendit. Është shtet i mafies.

TEMA

 

 

Shortlink:

Posted by on 17/06/2012. Filed under Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*


7 + = 16

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Jepi Like 123albania.com