Idealizmi dhe kuraja janë përmbysur e kullojnë oportunitet e lakmi për pushtet. Ky i fundit e ka ntrashur qafën aq shumë sa protagonistëve të tij nuk u lejon ta përdorin për një prej funksioneve kryesore të saj: kthimin. Pushteti nuk sheh as anash e as mbrapa, por veç para. Përpara është zeniti, por edhe zgripi. U dashkërka, me sa duket, një individ me qafë të hollë. Një lloj Arkitekti shijet e të cilit nuk u binden shijeve popullore. Ai quhet Mark Marku dhe, edhe pse rrezikon, edhe pse mundet ta shohë të ndryshuar projektin e tij; edhe pse, në vruje zemërimi e sipër, mund ta “hedhë në erë” kantierin, ofron një arketip të ri për strukturën e Partisë Demokratike.
Në filmin Arkitekti (Fountainhead në origjinal), rolin kryesor të të cilit e mban Gary Cooper, ai tipi i burrit të fortë dhe të heshtur, përballesh me një personazh, Howard Roarke, një përzierje e atipikut me idealistin. Ai nuk pranon që modeleve të tij arkitekturore, vizionit të tij artistik, të cilat nuk përputhen me shijet e Amerikës së viteve ‘40, një gufmim krekosës i neoklasicizmit mbështetur në artin greko-romak, t’u bëhen ndryshime. Qasja e tij është ‘merre ose lëre’. Të gjithë epranojnë talentin e tij të padiskutueshëm, e megjithatë i kundërvihen duke i kërkuar që gjenia e tij të takohet diku me “populloren vulgare”. Këmbëngulja e dykahshme e vizionarit dhe shoqërisë çon mediokrit në prominencë dhe gjeniun si punëtor krahu në një gurore. Rikthimi i Roarke në New York ndodh kur fati e takon me një mecenat që s’çan kokë për shijet e përgjithshme. Ndërkohë një mik i tij me imagjinatë të kufizuar i kërkon që ta ndihmojë për projektin e një qendre të madhe godinash banimi dhe Roarke pranon, me kushtin e vetëm që planit të tij arkitekturor të mos i ndryshohet asgjë. Pranon që të mos i dalë emri dhe as të mos marrë shpërblesa financiare. Projekti dorëzohet dhe e fiton konkursin, por në rrugë e sipër ndërtuesi fillon të shtojë gjëra jashtë skicës fillestare. Arkitekti e hedh në erë kantierin ku ndërkohë ishte ngritur shemra e fantazisë së tij fillestare.
Nëse kantierin “e dalë duarsh” e krahasojmë për një çast me strukturën e Partisë Demokratike, nuk do të gabonim dhe aq. PD-ja e 2012-s nuk është PD-ja që themeluesit e saj kishin imagjinuar më 1991. Arketipi i lëvizjes së dhjetorit është zhvendosur në kohë dhe hapësirë, por ky është përgjithësisht fati i arketipeve: ato janë aty sa për të dhuruar frymëzimin fillestar e me të për t’ia nisur rrugës. Për ta marrë atë shtegun e parrahur më parë, siç thotë poeti amerikan Robert Frost. Kur rruga përfundon në qorrsokak (në pakrye) arketipi duhet rigjetur, rishpikur, rifrymëzuar, megjithatë. Kjo nuk ndodh e as mund të ndodhë sipas arketipit të vjetër të ’91-shit. Së pari, sepse frymëzimi për të, duke qenë se ajo kohë ishte kapërcyell përmbysjesh botërore, ishte kolektiv më shumë se individual. Sali Berisha, Azem Hajdari e të tjerë u frymëzuan prej tij më shumë se e frymëzuan atë. Me pak idealizëm, me pak oportunitet, me pak kurajë ishte e lehtë të rrëmbeheshe nga era e ndryshimit në fillimvitet ’90.
Tani është ndryshe. Idealizmi dhe kuraja janë përmbysur e kullojnë oportunitet e lakmi për pushtet. Ky i fundit e ka ntrashur qafën aq shumë sa protagonistëve të tij nuk u lejon ta përdorin për një prej funksioneve kryesore të saj: kthimin. Pushteti nuk sheh as anash e as mbrapa, por veç para. Përpara është zeniti, por edhe zgripi.
U dashkërka, me sa duket, një individ me qafë të hollë. Një lloj Arkitekti shijet e të cilit nuk u binden shijeve popullore. Ai quhet Mark Marku dhe, edhe pse rrezikon, edhe pse mundet ta shohë të ndryshuar projektin e tij; edhe pse, në vruje zemërimi e sipër, mund ta “hedhë në erë” kantierin, ofron një arketip të ri për strukturën e Partisë Demokratike.
Cili është arketipi i Markut? Së pari, ai kthjellon arketipin e dikurshëm të Partisë Demokratike: ka nisur si front antikomunist dhe gjatë rrugës është strukturuar, por ajo nuk është më PD-ja e viteve ’90. “Nuk bëhet fjalë për rikthimin te PD-ja e ’90, nuk është kjo ideja; pavarësisht nostalgjisë që kemi për të, nuk ka kuptim që PD-ja të ribëhet si e viteve ‘90”, thotë ai.
Duke shtuar se natyra e PD-së është përcaktuar nga ngjarjet, ai thotë se kjo forcë ka nevojë për identitet të ri, sepse është mbyllur një periudhë e historisë së Shqipërisë, një fazë e historisë së PD-së dhe kjo parti e tranzicionit duhet shndërruar në parti moderne. “Ka ndryshuar natyra e vendit, problemet, shtresëzimet sociale, ka ndryshuar koncepti për të majtën e të djathtën në botë.”
Por a nuk u “rishpik” PD edhe në vitin 2005? A nuk iu bashkuan projektit të rinjtë, të vjetrit, të larguarit, të penduarit, të lënduarit? “Prurjet e vitit 2005 kanë qenë thjesht arnime, oksigjen i përkohshëm. Ata që erdhën nuk ndryshuan PD-në, por i ndryshoi PD-ja ata”, vëren deputeti i djathtë, i cili iu bashkua demokratëve në zgjedhjet e vitit 2009.
Marku e ka skicuar ndërkohë projektin e tij të rikthemelimit. Për një çast lëkundet tek emërtimi: a është projekt, traktat, tezë, platformë a çfarë…? Katër pikat e tij/saj megjithatë mund edhe të mos kërkojnë një përkufizim të saktë. E rëndësishme është që ato, para se të përkufizohen, duhen komunikuar. Së pari, kërkohet përkufizimi i identitetit politik; ripërkufizimi i përfaqësimit politik, cilat shtresa do të përfaqësohen; së dyti, duhet transformim total i komunikimit politik, stilit, gjuhës dhe qëndrimeve ndaj qytetarëve; së treti, rikonceptimi i programit në përputhje me çfarë ndodh në Shqipëri e çfarë ndodh sot në botë; dhe së katërti, rikonfigurimi i përfaqësimit politik; listat, ndryshimet në qeveri, të hapet debati për to si dhe të përcaktohet vizioni, të ketë përballje që të arrihet në një proces normal drejt një projekti politik, i cili të shihet si akt rithemelimi, siç bëjnë edhe partitë e tjera moderne europiane.
“Kuarteti politik i Mark Markut”, le ta quajmë kështu, do të thellohet e zhdërvjelltësohet edhe më gjatë kësaj vere. Në vjeshtë, thotë autori i tij, tezat do të jenë të formuluara dhe do të paraqiten në mënyrë legale në forumet politike dhe para opinionit publik. “Kam ndërmend të formuloj një traktat politik, një platformë apo koncept personal e cila do të dalë shumë shpejt dhe do të ketë nja 100 faqe. Do e paraqes para forumeve të PD-së, opinionit publik edhe duke e botuar si broshurë më vete.”
Po kush është Marku apolitik?
Një njeri me humor të hollë, me ironi më shumë se me autoironi, Mark Marku është një prej atyre intelektualëve që, po të donte, mund të kish themeluar një klub të vetin, të llojit Dead Poet’s Society. Në kuptimin që, ndërmjet studentëve të tij, një prej të cilëve është edhe autori i këtyre radhëve, ai kishte atë aurën e profesorit të veçantë, leksionet e të cilit doje t’i ndiqje. Nuk ka qenë e lehtë në fundvitet ’90 që ta shkëmbeje kotninë e kafe-konjakut në baret përballë Filoqyqlit me një orë leksionesh. Shumica e tyre ishin të patrajta e të mërzitshme, por jo “orët e profesor Markut”. Ai nuk i shmangej as raportit jashtë akademik me studentët, kafeve me ta dhe deri lidhjeve miqësore, ku megjithatë dallimi profesor-student nuk prishej, pikërisht për atë se mentori pranonte të bëhej edhe mik.
Më shumë se kaq, për ata që e donin librin, Marku ishte një prej të rrallëve që leximin e kishte mënyrë të jetuari. Ishte pra njëlloj modeli për studentët, masa intelektuale e të cilëve ishte ende e paformë. I gjen sot në shtyp e televizion, në politikë e në shoqërinë civile, njerëz që, të paktën janë prekur nga mark-sizmi i Mark Markut. Nuk është se ata janë më të mirë se të tjerët, por të paktën herë-herë e vende-vende e reflektojnë anëtarësimin virtual në Dead Poet’s Society. E shkëndijojnë kulturën në një shoqëri të pop-kulturës. Kjo mund të tingëllojë paksa elegjiake, por tek vdesim përditë e nga pak, tek e varim veten në papafingon e errët të kundërvajtjeve të përditshme, duhet edhe të pikëllohemi për ata që kemi dashur të jemi kur ishim studentë. Të pikëllohemi për raportin tonë me modelet tona, për braktisjen e tyre, për Arkitektin apo Profesorin. Atë burrin e heshtur që, si në një film bardh-e-zi, kërkon “ta hedhë në erë” idealin e tij të shfytyruar. Metaforikisht kjo “hedhje në erë nuk është gjë tjetër veçse triumfi i individualizmit mbi kolektivizimin.
Gazeta Mapo
Shortlink:
Recent Comments