Kisha e Mjedës: nga depo armësh kthehet me nur

Filed under: Kulturë |

Kisha e projektuar nga Mjeda në stilin neoklasik kushtuar Shën Shtjefnit, martir i shekullit I, u ndërtua në vitin 1913 me ndihmën financiare të qeverisë austriake. Gjatë periudhës së diktaturës ka shërbyer si depo armësh. 

Ndërsa shtëpia, sipas studiuesve të Mjedës, është më e hershme, e vitit 1906. Muret ballore të objekteve janë zbukuruar me figura të gdhendura dhe paraqesin episode të mitologjisë ilire. Në ballinën e shtëpisë është koka e kurorëzuar e Bachtusit, martirit sirian të shek. IV, por sipas Dom Nik Ukgjinit, njeriu që nuk jepet në këtë histori të kthimit në identitet të objektit, mund të interpretohet dhe si kurorë me gjemba e Krishtit dhe përmban disa tipare karakteristike të klerikut poet si mustaqet, pjesa e ballit. Në të majtë të ndërtesës është Labeatia, basoreliev i emblemës së një prej fiseve ilire. 

Në vitin 1962, shtëpia e klerikut katolik Ndre Mjeda, nuk u dëmtua, por u bë shtëpi-muze si degë e Muzeut të Shkodrës, deri në vitin 1990. Aty kanë qenë ekspozuar gjërat personale të Mjedës, fotografi, shkrime studimore, libra, tryeza e punës. Gjithashtu shtatorja e poetit që zbulohet nesër në Kukël me rastin e 75-vjetorit të vdekjes së autorit dhe për jubileun e Shtetit Shqiptar, është realizuar nga skulptori Sadik Spahia. 

Drejtor i qendrës muzeore “Ndre Mjeda”, Dom Nik Ukgjini, një nga iniciatorët më këmbëngulës tregon ndër të tjera se për këtë monument kulture shteti shqiptar nuk ka derdhur një grosh.

 

Dom Nik, çfarë hapësire përfshin Qendra Muzeore “Ndre Mjeda”?

Objektet që do të përfshihen janë kisha dhe shtëpia (qela). Të dyja objektet që janë projektuar nga autori i poemave “Vaji i bylbylit”, “Shtegtari”, “Andrra e jetës”, “Shkodra”, “Lissus”, ishin në degradim e sipër. Kur erdha në famullinë e Kuklit në Komunën e Bushatit në vitin 2006, u përpoqa të gjeja mundësi për restaurimin e ndërtesës. Vitin e kaluar, pasi arrita të mbledh ca fonde, filluan punimet për restaurimin e Kishës e cila ishte duke u shkatërruar nga dhembi kohës. Projektin për rikthimin në identitet e ka bërë arkitekti Zef Çuni. Është punuar në pullazin e kishës, në tavanin e saj, për fronin dhe ndërtimin e shkalleve të reja. 

Një vlerë të veçantë kanë dhe shkallët e ndërtuara me gur të gdhendur që të sjellin nga rruga për në shtëpinë muze. Prandaj, këto objekte, përveç rëndësisë që kanë në emër të Mjedës, kanë dhe vlera të rëndësishme historike dhe arkitekturore.

 

Keni patur materiale që ju kanë shërbyer në ruajtjen e modelit të dy objekteve? 

Objekti, e ka ruajtur identitetin e vet në tërësi. Arkitekti në disa momente të zbërthimit të projektit është mbështetur në fotografinë e Karl Gurakuqit të vitit 1963. Punonjësit zbatues, të mbikëqyrur edhe nga inxhinieri Çesk Gjuraj, kanë punuar me një përpikmëri dhe dashuri të veçantë për katër muaj më radhë nga prilli i këtij viti. 

Kisha është veshur me shtrojën e re të dyshemesë me pllaka guri me ngjyrë gri dhe vishnje. Gjithashtu, është punuar në restaurimin kornizave dhe dekoreve në muret e jashtme dhe të brendshme të Kishës në stilin neoklasik. Pastaj, është lyerja e sipërfaqes së brendshme me kuarc dhe të jashtme duke i dhënë një shkëlqim të veçantë objektit. Por, ajo çfarë përbën një lajm shumë me interes dhe njëherazi befasues dhe që këtij objekti i jep një vlerë të jashtëzakonshme, është pjesa e brendshme arkitekturore e Kishës, e cila është zbuluar me rastin e shpërthimeve të suvatimeve të këtyre mureve në brendësinë e saj. Arkitektura e brendshme e objektit, në shikimin e parë të krijon përshtypjen se kemi të bëjmë më një kishë të zakonshme ku populli mblidhet për t’iu lutur Zotit. Duket sikur objekti ka nisje arkitekturore të pafinalizuar, një arkitekturë sa të rregullt aq dhe të çrregullt. Por, Mjeda, me këtë arkitekturë të brendshme, në fakt flet për rrjedhat e ngjarjeve shqiptare të historisë në vitet 1878-1913. Pos Kishës, punimet janë realizuar në sistemimin e oborrit të Kompleksit, në muret e rrënuara, në murin rrethues të oborrit të Kishës, i cili me ketë rast është zbuluar në tërësi, në ndërtimin e platformës dhe bazamentit ku do vendoset shtatorja e Mjedës

 

Çfarë objektesh po ekspozoni?

Qendra Muzeore “Ndre Mjeda”, më 16 dhjetor 2011 është shpallur Monument Kulture. Kjo do të thotë, se objekti si i tillë është unik në llojin e vet. Pothuajse të gjitha shtëpitë-muze të autorëve me përmasa kombëtare janë shkatërruar gjatë këtyre viteve të tranzicionit. E vetmja trashëgimi e plotë, Kisha dhe shtëpia ku ruhet një kujtesë 100-vjeçare e Mjedës, në fushat e poezisë, gjuhës, letërsisë, diplomacisë, politikës. Ndërsa tryeza e tij e punës ndodhet në gjendje jo të mirë në depot e Muzeut të Shkodër. Shpresojmë se pas një restaurimi të plotë do rikthehet në Qendër. Për momentin në shtëpinë muze kemi 40 fotografi të rralla të poetit. Me interes janë dhe basorelievet në balloren e shtëpisë muze.

 

Po dorëshkrimet ku ndodhen?

Qendra synon të rritet dhe të zhvillohet dhe të ketë mbështetjen e institucioneve shtetërore të cilat deri tani e kanë injoruar krejt. Pritet që së shpejti të restaurohet shtëpia muze e cila ka funksionuar si e tillë gjatë diktaturës. Aty do të sistemohen gjërat personale të Mjedës: materiale fotografike, dorëshkrimore, studimore, botimet etj.. Qendra, pos që do jetë një vend pelegrinazhi kulturor mbarëkombëtar, do të luajë rolin e një qendre të studimeve mjedologjike për brezat e rinj. Studiuesi Mentor Quku i cili ka botuar 10 vëllime për Mjedën është i gatshëm të na sjellë të gjithë fondin e Mjedës të grumbulluar për 40 vjet. Ai dëshmon se për Mjedën mund të shkruhen edhe 10 libra të tjera. Po ashtu dhe shumë studiues nga Kosova kanë dhënë premtime se do vënë në dispozicion fondet e librave të tyre. Do ketë hapësirë edhe për punimet e krijuesve të rinj të cilët dëshirojnë të shfaqin talentin e tyre artistik. Kjo qendër do të jetë në funksion të plot të promovimit të turizmit kulturor ndërkombëtar. 

 

Nuk keni marrë asnjë ndihmë nga institucionet shtetërore?

Institucionet shtetërore japim premtime boshe pa fund. Qendra është restauruar m,e ndihmën e grupeve dhe individëve të caktuar, Kryedioqeza e Shkodrës, Karitasi Gjerman, Komuniteti “Zoja e Shkodrës” nga Nju Jorku, si dhe individë, si Konsulli i Nderit i Austrisë, etj. Ndërsa, komuna e Bushatit ka dhënë një kontribut modest, në krahasim me mundësitë dhe obligimin që ka ndaj kësaj qendre e cila rizgjon kujtesën historike dhe nxit mendjen e brezit të ri që ta dojë shkencën, kulturën, humanizmin, atdheun e tyre. Nesër në Kukël, kremtohet 75-vjetori i vdekjes së Mjeda me një sërë aktivitetesh, titulluar “Ditët Mjedës”. Mbahet Konferenca Shkencore ku janë të ftuar studiues nga Kosova dhe Maqedonia, pasdite zhvillohet pjesa festive, me këtë rast përurohet “Qendra Muzeore” dhe shtatorja e poetit. Shteti shqiptar, si shpërblim ndaj Mjedës nuk denjoi të japë ndihmën e kërkuar për realizim e kësaj vepre monumentale. Ajo u realizua nga skulptori Sadik Spahia pa asnjë lloj shpërblimi dhe derdhja në bronz me përmasa 2.60, me 1.20 u financua nga aktivisti i mirënjohur pukjan nga Nju Jorku, Zef Balaj. 

Shekulli online

 

 

Shortlink:

Posted by on 31/07/2012. Filed under Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*


6 + 2 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Jepi Like 123albania.com