Shaban Murati*: Historia e diplomacisë në një vështrim shkencor shqiptar

Filed under: Histori,Kulturë |

SHABAN MURATI

- Libri i tij“Historia e Diplomacisë” e prof. EqremZenelajt, i botuar në Prishtinë në vitin 2013, është një  përpjekje shkencore për të sjellë diçka të re në trajtimin me kritere shkencoretë historisë së diplomacisë
                                                          

Pjekuria e shkencës  kombëtare dëshmohet me botimin e veprave, të cilat përpiqen ta paraqesin  këndvështrimin shqiptar në të gjitha disiplinat shkencore, sado të përparuara  dhe me tradita shekullore qofshin ato në shtetet e tjera të zhvilluara. Ndaj dhe  nisma e profesor Eqrem Zenelajt për të sjellë një libër mbi historinë e  diplomacisë, jo vetëm është e mirëpritur, por edhe një kontribut shkencor i  lavdërueshëm, për të pasuruar fondin e literaturës shkencore shqiptare me një  vepër të duhur mbi rrugëtimin e gjatë mijëravjeçar të diplomacisë.
Duhet  thënë që në fillim, se vepra të tilla si “Historia e Diplomacisë” e prof. Eqrem  Zenelajt, apo libri i mëparshëm interesant i tij, “Bazat e Diplomacisë”, të  cilat kanë për objekt tema dhe lëndë të rrahura gjerësisht në shkencat  ndërkombëtare, janë sa të lehta, aq dhe të vështira për t’u shkruar. Në një  kuptim, të lehta, sepse literatura në dispozicion të studiuesit është tepër e  pasur, por të vështira për të thënë dhe dhënë diçka të re, sepse kërkon një  kulturë të madhe profesionale shumëplanëshe, si dhe një përgatitje të gjatë  kërkimore dhe hulumtuese, që të paraqesësh një mënyrë të re apo një këndvështrim  të ri të trajtimit dhe të interpretimit të historisë së diplomacisë, e cila  është një temë ku si në çdo shkencë, porta e kërkimit dhe e shkallëzimit  shkencor qëndron gjithmonë e hapur. Libri është frut i një pune kërkimore të  gjatë, të palodhur, shumëvjeçare, në arkivin e Monarkisë dhe të shtetit të  Austrisë, si dhe në 17 arkiva të vjetra europiane, ku autori ka grumbulluar mbi  tre mijë dokumente të vjetra me rëndësi kombëtare dhe historike.
Libri i tij “Historia e Diplomacisë”, i botuar në Prishtinë në vitin 2013, është një  përpjekje shkencore për të sjellë diçka të re në trajtimin me kritere shkencore  të historisë së diplomacisë. Ka dy mënyra për t’i shpëtuar kurthit të  përsëritjes së modelit deskriptiv dhe kronologjik të historisë së diplomacisë.  Kjo është në radhë të parë, përfshirja dhe trajtimi në libër i elementeve të  historisë së diplomacisë kombëtare dhe të historisë diplomatike të çështjes  shqiptare, si dhe i kontributit historik shqiptar në ecurinë e diplomacisë  botërore dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Dhe në radhë të dytë është kërkimi,  studimi dhe paraqitja e burimeve të reja arkivore dhe bibliotekare, të cilat  kanë munguar ose janë lënë jashtë bibliografisë nga autorë paraardhës. Vepra e  profesor Eqrem Zenelajt i përfshin të dyja këto komponente të rëndësishme  shkencore, të cilat i japin librit përmasat e një kontributi të rëndësishëm për  literaturën diplomatike dhe për shkencat shqiptare. Sikurse shkruan prof. dr.  Leopold Auser i Universitetit të Vjenës në parathënien e librit: “Përkrah  veprave të vjetra standarde të njohura, si ajo e Mattinglys-it ‘Renaissance  Diplomacy’, ose vepra e Kizinxherit ‘Mbi sistemin e Diplomacisë me Hillard von  Thiesen’, gjithashtu tek autori i këtij libri, prof. Eqrem Zenelaj, gjejmë një  përfaqësues të Historisë së Re të Diplomacisë, prandaj edhe lexuesit-studentë në  gjuhën shqipe, në hulumtimet e tilla gjejnë kërkime shkencore të nivelit  ndërkombëtar.”
Konceptimi i pjesëmarrjes dhe i kontributit të kombit  shqiptar dhe të personaliteteve të tij nëpër botë dhe nëpër shekuj, në  zhvillimin e diplomacisë, pra paraqitja e një dimensioni apo përbërëseje  shqiptare të historisë së diplomacisë botërore, është një meritë shkencore e  autorit, e cila përforcon një ndjenjë krenarie kombëtare, por dhe një plotësim  të ri të së vërtetës së pandriçuar të kontributit të kombit tonë në kulturën dhe  në dinamikën diplomatike ndërkombëtare. Me interes është evidentimi, që libri i  bën kontributit të diplomacisë së shtetit të Skënderbeut, e cila radhitet krahas  asaj të Venedikut, Milanos, Firences, Gjenovës etj. në vendosjen për herë të  parë në histori të përfaqësive diplomatike të përhershme. Siç thekson autori, në  aspektin ndërkombëtar duhet përmendur një akt shumë i rëndësishëm për historinë  e diplomacisë, i cili deri më sot nuk është evidentuar as në literaturën e huaj,  që ka të bëjë me historinë e diplomacisë, se edhe shteti i Skënderbeut kishte  instaluar përfaqësi të përhershme diplomatike në Urbino të Italisë në vitin  1464. Autori sjell faktin tjetër tepër interesant, se Papa Klemensi XI – Albani  themeloi Akademinë Diplomatike të Romës në vitin 1701 dhe autori i librit ka  zbuluar për herë të parë dokumentin sekret të Papës, ku dëshmohet origjina e tij  shqiptare.
Është meritë e autorit, i cili, gjatë hulumtimit nëpër dokumentet  dhe bibliotekat e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, është ndalur  posaçërisht në zbulimin e momenteve, zhvillimeve, qëndrimeve dhe intrigave  diplomatike ndërkombëtare që kanë të bëjnë me fatin e Shqipërisë, duke hedhur më  shumë dritë në të vërtetat e rrugës së vështirë të çështjes shqiptare. Autori  sjell dokumentin e 26 marsit 1897, ku del se diplomacia e Perandorisë  austro-hungareze kishte pjekur mendimin dhe qëndrimin për një shtet të pavarur  shqiptar: “Ne, Austro-Hungaria, jemi për ekzistencën e Shqipërisë së pavarur dhe  kundër çdo përpjekjeje për ndonjë dhunim të saj, që mund të vinte nga ana e  ndonjë shteti sllav të Ballkanit.”
Autori ka një meritë të madhe, dhe mund  të thuhet se përbën një kontribut të veçantë shkencor, kërkimi i palodhur dhe  studimi i arkivave të Vjenës dhe i kryeqyteteve të tjera europiane, sidomos të  atyre në gjuhën gjermane, të cilat shënojnë një pasurim dhe kuptim të ri të  veprimtarive diplomatike ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me krijimin e shtetit  të Shqipërisë dhe me kombin shqiptar. Profesor Zenelaj paraqitet me këtë vepër  si një njohës dhe kërkues i pashoq i arkivave në gjuhën gjermane dhe sidomos  atyre austriake, kaq të domosdoshme dhe të pazëvendësueshme, sepse  Austro-Hungaria ishte një nga fuqitë e mëdha të kohës, që luajti një rol  vendimtar në krijimin e shtetit të ri të pavarur shqiptar. Kjo e bën më të plotë  historinë diplomatike të çështjes shqiptare. Ai plotëson një boshllëk të  historiografisë sonë kombëtare, e cila, për kufizime të kohës apo të  historianëve të shkollave sektare, nuk ka arritur të plotësojë mozaikun e  nevojshëm shumëngjyrësh arkivor, që është kriter i një shkence serioze  historiografike. Zbulimi për herë të parë në arkivat e Vjenës nga profesor Eqrem  Zenelaj i dokumentit të firmosjes së Pavarësisë së Shqipërisë në Durrës në datën  26 nëntor 1912, dokument i dërguar autoriteteve të Austro-Hungarisë në mesnatën  e asaj date, pasuron historinë dhe historiografinë shqiptare, dhe madhëron më  shumë veprën gjithëkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë. Zbulimi shkencor është  meritë e historianit, i cili, me pasion dhe seriozitet shkencor e çon shkencën  aty ku e drejton arkiva dhe pasuron historiografinë me vizione të reja  dokumentare, arritje që përfaqëson një objektivitet shkencor dhe një model  intelektual, për të evituar meskinitetet sektare e krahinore që karakterizojnë  edhe sot e kësaj dite segmente të historiografisë sonë.
Profesor Eqrem  Zenelaj sjell një kontribut të shquar në shkencat e marrëdhënieve ndërkombëtare,  gjë që e bën librin “Historia e Diplomacisë” një manual të nevojshëm studimi dhe  konsultimi. Jo vetëm për ata që studiojnë diplomaci dhe marrëdhëniet  ndërkombëtare, por edhe për diplomatët, politikanët dhe cilindo intelektual që  ka interes për botën e bukur dhe plot mistere të diplomacisë.

*Mjeshtër i  Madh

 

 

Shortlink:

Posted by on 06/04/2013. Filed under Histori, Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*


+ 5 = 7

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>